Asociacioni i Komunave Serbe formohet pas zgjedhjeve në Kosovë
Themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe me gjasë do të shtyhet pas zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë. Raportohet se për Asociacionin po kërkohet një propozim nga Bashkimi Europian, lehtësues në këtë proces.

Lajme
Nuk është vetëm sistemi ligjor e kushtues i vendit që në bisedimet në Bruksel, po sfidon platformën e asaj që në marrëveshje është projektuar si Asociacioni i Komunave Serbe në veri, sipas Marrëveshjes së arritur Kosovë –Serbi.
Me gjithë ndryshimet që po bëjnë vazhdimisht të dyja palët në planet e tyre rreth Asociacionit, qëndrimet skajshmërisht të ndryshme kanë shtyrë palët, sidomos atë kosovare që të kërkojnë ndihmën e Bashkimit Europian, lehtësues në këtë proces, raporton Radio Kosova.
Burime brenda ekipit negociator kanë konfirmuar se ky lehtësim po kërkohet në formën e një propozimi të BE-së rreth Asociacionit, e që praktikisht ky propozim do ishte brenda materies që ka përcaktuar Konventa Evropiane për Vetëqeverisje Lokale.
Zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri, nuk ka dashur të jap sqarime rreth çështjes së Asociacionit dhe çfarë saktësisht është kërkuar nga BE.
Ndërsa sipas përgjigjes që ka dhënë Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, BE duket se nuk po preferon të shtyj përpara propozimet e veta rreth asociacionit, por që të shtyj palët në bisedime të gjejnë vetë një zgjidhje, të pranueshme dhe të qëndrueshme njëkohësisht.
“Ne nuk po i shtyjmë përpara propozimet tona, por po i inkurajojmë të dyja palët që ta arrijnë një marrëveshje të pranueshme për të dyja palët e cila mund të jetë e qëndrueshme”’, thuhet në një përgjigje përmes postës elektronike të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë për Radio Kosovën.
Ajo që është konfirmuar është se tashmë është shty krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe. Ka qenë Ministri i Kthimit, Dalibor Jevtic ai që së fundi ka konfirmuar se Asociacioni i Komunave serbe do të presë deri pas zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë megjithëse nuk është caktuar ende data e këtyre zgjedhjeve.
Deri më tani beteja e të dyja palëve në bisedimet në Bruksel, është fokusuar në atë nëse Asociacioni i komunave serbe do të ketë përfaqësim ndërkombëtar dhe nëse do të ketë tiparet e një institucioni qeveritar që financohet nga shteti serb dhe ai i Kosovës, raporton Radio Kosova.