Asnjë gjurmë nga krimineli maqedonas që tentoi ta vriste Zijadin Selën

16:52 | 17 Janar 2019

Ministria e Brendshme shpalli sot arrest ndërkombëtar për të dhe emrin i tij tani qëndron pranë ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.

Prokuroria Publike e Maqedonisë është në kërkim të dëshmive nëse dikush e ka ndihmuar gjatë arratisjes Nikolla Vojminovskin, i dënuar me 13 vjet e gjysmë burg për vrasjen në tentativë të kryetarit të Aleancës për shqiptarët, Zijadin Sela, gjatë ndërhyrjes në Parlament më 27 prill.

Ministria e Brendshme shpalli sot arrest ndërkombëtar për të dhe emrin i tij tani qëndron pranë ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. Ndryshe, Vojminovski është zhdukur që nga dita e djeshme, ndërsa policia nuk ka informacion se ku është apo nëse dikush e ka ndihmuar atë.

Prokuroria Publike

“Nëse MPB, si organ kompetent për kontroll dhe vëzhgim të masës së arrestit shtëpiak siguron prova relevante që tregojnë veprën e kryer penale që ndiqet me detyrë zyrtare, Prokuroria do të përfshihet në këtë ndjekje penale kundër personave që eventualisht e kanë mundësuar arratisjen e të akuzuarit”.

Urdhër-arresti ndërkombëtar për kriminelin maqedonas Vojminovski

Vojminovski vuajti masën e paraburgimit, por gjatë debatit kryesor, në maj të vitit të kaluar, masa u zëvendësua me arrest shtëpiak. Nga Prokuroria thonë se kjo është bërë me kërkesë të mbrojtjes për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

Prokuroria Publike:

“Gjykata e pranoi arsyen e theksuar nga ana e mbrojtjes në të cilën edhe opinioni pa dyshim mundi të sigurohet kur më 18.04.2018 i pandehuri humbi vetëdijen në njërën nga seancat dhe ndërhyri ndihma e parë mjekësore”.

Por, pasi  Vojminovskit iu shqiptua dënimi me burg, prokurori propozoi që ai të mbetet në arrest shtëpiak sepse i gjykuari ende ishte në gjendje të rëndë shëndetësore. Kështu që, tani mbetet e paqartë se si gjendja e përkeqësuar shëndetësore ishte një pengesë për të qenë në paraburgim, ndërsa nuk ka qenë pengesë për t’u arratisur?

Nga Prokuroria pohojnë se deri më tani tek ta nuk ka arritur asnjë informacion zyrtar një arratisje të mundshme të të pandehurit. Në këtë rast, pesë persona edhe më tej janë në paraburgim deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimi, ndërsa një tjetër është në arrest shtëpiak.

Paraprakisht nga drejtësia u arratis edhe Nikolla Gruevski, si dhe ish-anëtarët e DSK-së Goran Grujevski dhe Nikola Boshkovski.

Në arrati ishte edhe biznesmeni Sead Koçan, thuhet në raportin e televizionit të Shkupit Alsat.