Askush si Ibrahimovic

Zlatan Ibrahimovic është aktualisht futbollisti më i mirë në botë, sipas selektorit të Suedisë, Erik Hamren. Të premten mbrëma në Lisbonë, Ibrahimovic do të përballet me Cristiano Ronaldon derisa Suedia dhe Portugalia zhvillojnë ndeshjen e parë të barazhit për kualifikim në Kampionatin botëror 2014. Njëri prej këtyre dy yjeve nuk do të luajë në garën…

Sport

15/11/2013 07:00

Zlatan Ibrahimovic është aktualisht futbollisti më i mirë në botë, sipas selektorit të Suedisë, Erik Hamren. Të premten mbrëma në Lisbonë, Ibrahimovic do të përballet me Cristiano Ronaldon derisa Suedia dhe Portugalia zhvillojnë ndeshjen e parë të barazhit për kualifikim në Kampionatin botëror 2014.

Njëri prej këtyre dy yjeve nuk do të luajë në garën e vitit të ardhshëm në Brazil dhe Hamren ka shprehur besimin e tij se: “Zlatan është numër një”. “Ai është futbollist i nivelit botëror, është kapiteni im dhe luan për Suedinë”, u shpreh ai.

Ndeshja e së premtes do të përcillet me duelin e kthimit në Stokholm të martën dhe Hamren ka pranuar se do të jetë një ballafaqim i vështirë me Portugalinë.

“Sigurisht, është një betejë mes dy futbollistëve të nivelit botëror. Zlatan ka nevojë për përkrahje por nëse e merr atë nga ekipi, atëherë mund të jetë përcaktuesi i ndeshjes. Ai ka shënuar mirë së fundmi dhe kjo është pozitive. Por, edhe Ronaldo është në formën e tij më të mirë andaj është e barabartë”, deklaroi ai.