Asistencë Popullore

Shpend Ahmeti premtoi se familjet me asistencë sociale, do të lirohen nga pagesa e transportit publik dhe nga pagesa e ujit. Dhe jo vetëm. Vetëvendosje ofron asistencë për kategoritë sociale.

Lajme

21/10/2013 15:34

Kandidati i Vetëvendosjes për Kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti, dha sot një varg premtimesh për familjet që jetojnë me asistencë sociale.

Ai tha se këto familje do të lirohen nga pagesa e trafikut urban. Dhe jo vetëm.

“Ne propozojmë që familjet me asistencë sociale të lirohet nga pagesat për 18 mijë litra ujë që është shpenzimi mesatar për një familje, kjo do të vlente edhe për shërbimet tjera dhe për bërllokun”.

“Me koston e legalizimin do të aplikohet edhe një masë e dënimit për ata që kanë shkelur Ligjet e Kosovës, do të ishte mirë që tek legalizimi të hynte edhe bashkëpronësia ku një pjesë e dënimit të mos paguhet me të holla nga ata që kanë shkelur ligjin por t’u konfiskohet disa banesa dhe ato të përdoren për banim social edhe strehim”.

“Ne mendojmë se transporti publik duhet të jetë falas për pensionistët, falas për rastet sociale dhe disa grupe të rrezikuara e posaçërisht për kategoritë e dala nga lufta”.

“Kemi përdorur shujtën falas për nxënësit e klasës së parë deri në klasën e pestë. Pagesa e shpenzimeve të varrimit për raste sociale, rastet pa përkujdesje dhe për pensionistët të cilët nuk kanë familje të gjerë sepse në ato kushte shpenzimet e varrimit po arrijnë kostot të lartë, ndërsa bursat për studime duhet të bazohen sa më shumë në kuadër të nevojës sesa në favor të meritës”.

Ahmeti tha se ka projekt të qartë për legalizimin e objekteve, për mënyrën sesi do të veprohet në trajtimin e tyre.

“Do ketë ndalim të ndërtimit të objekteve pa leje, dënime për ata që kanë shkelur ligjin, dënime në disa mënyra si dhe legalizim të atyre që nuk kane shkelur fare ndonjë ligj”.