Ashton sheh përkushtim në Dialog

Ashton nuk ka folur as për ndonjë marrëveshje as për ndonjë përafrim eventual qëndrimesh në ndonjë nga çështjet e diskutuara me Kryeministrat Thaçi e Dacic, por ka caktuar një takim tjetër për 12 shkurt.

Lajme

27/01/2014 21:40

Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Europian, Catherine Ashton, ka thënë se në takimin e sotëm me Kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic, zgjedhjet në Mitrovicën e Veriut dhe ato të paralajëmruarat në Serbi kanë qenë në qendër të bisedimeve.

Ashton nuk ka folur as për ndonjë marrëveshje, as për ndonjë përafrim eventual qëndrimesh në ndonjë nga çështjet e diskutuara, por ka caktuar një takim tjetër për 12 shkurt.

Sido që të jetë, ajo ka thënë se ka parë përkushtim nga ana e dy delegacioneve për ta vazhduar punën e nisur në normalizmin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Nga takimi i sotëm, Bruksel.

 

“Isha e lumtur që u takova sot me Kryeministrin Thaçi dhe Kryeministrin Dacic, bashkë me delegacionet e tyre, për ta vazhduar punën në normalizimin e marrëdhënieve mbi bazën e Marrëveshjes që arritëm në Prill të vitit të kaluar.”

“Folëm për një numër të çështjeve, përfshirë edhe atë se si ta çojmë punën tonë përpara në dritë të ngjarjeve, sidomos zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut ku do të kemi votime të reja për Kryetar të Komunës, dhe natyrisht zgjedhjet në Serbi në një të ardhme jo të largët”.

“Isha shumë e lumtur ta shoh përkushtimin e dy Kryeministrave si dhe ZëvendësKryeministrit Vucic dhe të të gjithë anëtarëve të delegacioneve të tyre për ta vazhduar punën. Unë mezi pres t’i takoj ata prapë më 12 shkurt, kur do të takohemi përsëri për ta vazhduar këtë proces”, ka thënë Ashton.

Nga takimi i sotëm, Bruksel.