Ashton i përgjigjet Jahjagës

Catherine Ashton i ka kthyer përgjigje Presidentes, Atifete Jahjaga lidhur me kërkesën për mandatin e EULEX-it.

Lajme

18/04/2014 16:13

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, ia ka kthyer përgjigjen presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, përmes një letre, duke pranuar kërkesën për të vazhduar zbatimin e mandatit të Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX.

\”Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian dhe EULEX-i do të vazhdojnë të ndihmojnë institucionet, autoritetet e drejtësisë dhe agjencitë e zbatimit të ligjit në Kosovë, për të forcuar edhe më shumë sistemin e pavarur shumë-etnik të drejtësisë dhe shërbimi shumë-etnik policor në përparimin e tyre drejt plotësimit të standardeve evropiane në fushat e tyre përkatëse”, ka thënë Ashton në letrën e saj.

Duke folur ndërkaq për Task-forcën e posaçme të hetimeve, të krijuar në kuadër të misionit evropian, dhe për cilëndo procedurë gjyqësore që buron nga kjo njësi,  Ashton ka thënë se ato do të vazhdojnë derisa “Këshilli i Bashkimit Evropian ta njoftojë Kosovën që hetimet dhe procedurat përkatëse janë përmbyllur”.

“Kosova sikur pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor, e ka perspektivën evropiane. Përmes zbatimit të mandatit të tij, EULEX-i do të kontribuojë në lehtësimin e përparimit të Kosovës drejt integrimit të mëtutjeshëm në BE”, ka thënë mes tjerash në letrën e saj, baronesha Catherine Ashton, dërguar presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga.