Ashton: Dialogu duhet të vazhdojë me të njëjtin përkushtim

Sipas Catherine Ashton, marrëveshja për normalizimin e marrdhënieve, e arritur në prill të vitit të kaluar, ka qenë një pikë kthese për të ardhmen europiane të Kosovës e Serbisë, por edhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Lajme

15/02/2014 08:48

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, ka thënë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë me përkushtim të njëjtë nga të dyja palët.

Në një adresim para Këshillit të Sigurimit të OKB’së, Ashton është shprehur se edhe vendosmëria e BE’së dhe e saj personalisht do të jenë të fuqishëm në mënyrë që dialogu të ketë sukses.

Sipas Ashton, marrëveshja për normalizimin e marrdhënieve, e arritur në prill të vitit të kaluar, ka qenë një pikë kthese për të ardhmen europiane të Kosovës e Serbisë, por edhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Ndihem krenare për punën tonë vitin e kaluar, në lehtësimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Është arritur përparim historik në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy palëve”.

“Këshilli i Sigurimit kishte mundësinë t’i dëgjonte Kryeministrin Dacic dhe Kryeministrin Thaci të hënën dhe ju e keni mësuar nga ata se sa e rëndësishme dhe pozitive ka qenë kjo punë për popujt e tyre, për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe për të ardhmen europiane të rajonit”.

“Ky ka qenë një proces me rezultate konkrete dhe që ka ndryshuar jetën e përditshme në teren”.

“Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve e arritur në prill të vitit të kaluar ka qenë një pikë kthese në marrëdhëniet e tyre”.

“Implementimi i kësaj marrëveshjeje përfshiu mbajtjen e zgjedhjeve lokale në tërë Kosovën, për herë të parë edhe në veri të Kosovës, dhe integrimin e të gjitha strukturave të sigurisë dhe drejtësisë në kornizën ligjore të Kosovës”.

“Për shkak të këtij progresi, BE ka qenë në gjendje t’i hapë negociatat për anëtarësim me Serbinë dhe nisjen e negociatave për MSA me Kosovën”.

“Në të ardhmen, dialogu do të bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e procesit integrues në BE për të dyja palët”.

“Por mesazhi për Prishtinën dhe Beogradin sot është se është qenësoreqë dialogu të vazhdojë dhe të ata ta mbajnë të njëjtin përkushtim. Përkushtimi i BE’së dhe imi do të jetë i fuqishëm si gjithmonë”.

“Përvec përfitimeve të secilës palë, ne shpresojmë që dialogu mund dhe duhet të jetë një frymëzim për ndryshime pozitive, për një momentum të ri, në pjesët tjera të Ballkanit Perëndimor, dhe në këtë rast mendoj sidomos për ngjarjet në Bosnjë dhe Hercegovinë”, ka thënë Ashton para ambasadorëve të shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB’së.