Ashpër e më ashpër AAK-LDK

AAK thotë se ka pritur distancimin e LDK’së nga deklaratat e Gazmend Muhaxherit, por e ka marrë të kundërtën e asaj pasi që LDK doli në mbështetje të kandidatit të vet.

Lajme

27/11/2013 10:25

AAK dhe LDK assesi të gjejnë paqe, pas akuzave të bëra nga Kandidati i LDK’së për Kryetar të Pejës, Gazmend Muhaxheri, ndaj strukturave të AAK’së të cilëve ua ngarkoi përgjegjësinë për vrasjet e pasluftës në këtë komunë.

Në përgjigje ndaj reagimit të mbrëmshëm të LDK’së, AAK sot ka lëshuar një deklaratë në të cilën ka ngritur tonin e akuzave ndaj liderit të kësaj partie, Isa Mustafa, duke e quajtur atë “Ministër i Rrahman Morinës”.

AAK thotë se ka pritur distancimin e LDK’së nga deklaratat e Gazmend Muhaxherit, por e ka marrë të kundërtën e asaj, pasi që LDK doli në mbështetje të kandidatit të vet.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka pritur që udhëheqja e LDK’së të distancohet nga shpifjet e fundit të kandidatit të tyre në Pejë”.

“Reagimi i djeshëm i LDK’së konfirmon se ish-Ministri i Qeverisë së Rrahman Morinës, me kuzhinat e tij të këqija, qëndrojnë prapa shpifjeve të kandidatit të tyre”.

“Ua kujtojmë qytetarëve se gjatë qeverisjes Morina dhe të morinave të tjerë të mëparshëm, u burgosën, u keqtrajtuan dhe u vranë shqiptarë të pafajshëm”.

“Fakti se kandidati i tyre për Pejë nuk ia dha votën Presidentit Rugova kur ai kishte nevojë për këtë votë, e prekë shumë edhe udhëheqjen e LDK’së, sepse edhe ata kanë vepruar njëjtë”.

“AAK do t’u përgjigjet me reciprocitet oponentëve politikë, në mënyrë që të mbrojë të vërtetën dhe qytetarin e vendit”, thuhet në reagimin e AAK’së.