Asfalti që u bë “copë copë” në Malishevë ishte shtruar vitin e kaluar

Komuna e Malishevës ka njoftuar se shkaku i reshjeve të shumta të shiut dhe vërshimeve, rruga që lidhë fshatin Rud të Malishevës me fshatin Sferkë të Klinës, është dëmtuar rëndë dhe është tërësisht e pakalueshme.

Lajme

09/01/2021 16:38

Në fotografitë e dërguara nga komuna, shihet se si rruga është këputur dhe asfalti është larguar në tërësi.

Madje, fotografitë kanë nisur të bëhen virale edhe në rrjetin social facebook, ku ka nisur tallja nga ana e qytetarëve.

Realizimi i këtij projekti, që lidhë Komunën e Klinës me Komunën e Malishevës me rrugë të asfaltuar, është financuar nga Ministria e Infrastrukturës, procedurat tenderuese janë udhëhequr nga Komuna e Malishevës.

Lajmi.net ka mësuar se Komuna e Malishevës  kishte lidhur kontratë në tetor 2019 me grupin e kompanive  “REA” SH.P.K & “Euroasphalt” Sh.p.k.

Vlera e kontratës ka qenë : 267.270 euro dhe projekti ka përfunduar në prill të vitit 2020.

Ahmet Morina, drejtor u Urbanizmit në KK të Malishevës tha për lajmi.net se rruga ka përfunduar së ndërtuari në vitin e kaluar. Ai tha se nuk bëhet fjalë për cilësi të dobëta, por për reshje të mëdha të shiut.

“Vërshimet edhe në Gjermani e Amerikë këpusin ura të mëdha. Nuk bëhet llaf për cilësi të dobët të punimeve.

Pozita gjeografike është e keqe në atë pjesë dhe rruga nuk ka mundur ta përballojë atë vërshim.

Ajo rrugë është në territorin e Klinës. Ne kemi paraticipu me një shumë të mjeteve dhe bashkë me ministrinë e kemi realizuar atë projekt. Në fakt është menaxhuar nga menaxheri i Ministrisë së Infrastrukturës në bashkëpunim me ne”, tha Morina

Drejtori Morina tha se do të formojnë një komision që në momentin kur të pushojnë të reshurat do të bëjnë vlerësimin e këtij dëmi dhe të gjitha pikave tjera të dëmtuara.

Kur ishte shpallur tenderi për këtë projekte, në garë kanë qenë 13 kompani, por më kontratë ishte shpërblyer grupi i kompanive më çmimin më të lirë i përgjegjshëm. Gjatësia e komplet projektit ka qenë rreth 4 km. /Lajmi.net/