Asfalti e çon në burg
Policia ka arrestuar një të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në Komunën e Vitisë pasi mori 1100 euro nga banorët e Vërbanit. Raportohet se i arrestuari është Sabri Sherifi, Menaxher i Zyrës Komunale të Projekteve.

Lajme
Një zyrtar i komunës së Vitisë ka përfunduar në pranga pasi dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare.
Policia e Kosovës ka njoftuar se në fshatin Vërban të Vitisë, Njësiti i Krimeve Ekonomike dhe Antikorrupsion në Gjilan, pas një pune operative ka arrestuar të dyshuarin mashkull shqiptar mbi bazën e dyshimit se i njëjti ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare në periudhën kohore mars – dhjetor të vitit 2012, me rastin e implementimit të një tenderi për asfaltim të rrugës në dy lagjet e këtij fshati.
Burimet e agjencisë së lajmeve Rajonipress mësojnë se i arrestuari është Sabri Sherifi, menaxher në Zyrën e Projekteve në Komunën e Vitisë.
Sipas policisë, Sabri Sherifi ka pranuar rreth 1100 euro nga banorët e të dy lagjeve, kinse në emër të hartimit të projektit ideor.
“Këto para i dyshuari i ka kërkuar dhe i ka pranuar pasi ka filluar kryerja e punimeve në terren gjegjësisht asfaltimi i rrugës”.
“Me urdhër të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”.