As VAR-i nuk ndalë Evertonin ndaj Arsenalit – tri pikët mbesin në Goodison Park, përmbysen ‘Gunners’

Everton ka fituar dramën ndaj Arsenal, në Goodison Park.

Sport

06/12/2021 22:56

Everton ka marrë fitore në ndeshjen kundër Arsenal, me rezultatin 2:1 në ndeshjen e luajtur sonte, shkruan lajmi.net.

Fati i kësaj ndeshje gati sa u përcaktua nga teknologjia VAR, e cila i anuloi dy gola për skuadrën nikoqire.

Richarlison shënonte në minutën e 44’, por goli i tij u anulua për pozitë jashtë loje. Vetëm një minutë më vonë, Odegaard shënoi për 0:1, për ta çuar Arsenalin me një gol epërsi në pauzën mes dy pjesëve.

Në fillimin e pjesës së dytë, në minutën e 58’, Richarlison gjeti edhe një herë golin, por edhe një herë VAR reagoi duke anuluar për pozitë jashtë loje.

Braziliani ishte më me fat në minutën e 80’, kur për herë të tretë dërgoi topin në rrjetë. Kësaj radhe festa shkoi deri në fund në Goodison Park, pasi VAR nuk pati vërejtje.

Goli i Richarlison nisi përmbysjen spektakolare të Everton, e cila u kompletua me golin e Gray në minutën 90+2.

Gray me këtë gol i dha tri pikët skuadrës nga Liverpuli, që tashmë shkon në 18 pikë për pozitën e 12, derisa Arsenal mbetet me 23 pikë në pozitën e 7-të. . /Lajmi.net/