As OJQ, as entitet politik

Zyrtari i Lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore thotë se Bashkësia e Komunave Serbe nuk do të mund të legjitimohet as si inkuadrim i Serbisë përbrenda territorit të Kosovës.

Lajme

10/12/2013 08:29

Funksioni i Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë nuk do të jetë i ngjashëm me atë të një OJQ’je. Por, ky Asociacion, sipas Drejtorit për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonahan Moore, nuk do të mund të legjitimohet as si inkuadrim i Serbisë përbrenda territorit të Kosovës.

“Normalizimi i marrëdhënieve po bëhet përbrenda ligjeve të Kosovës. Komunat kanë shumë kompetenca në këtë sistem. Komunat kanë kompetenca në mënyrë të veçantë ose si bashkësi të cilat mund t’i ushtrojnë. Asociacioni s’është NGO por as entitet i ri politik”, theksoi Moore

Ky diplomat tha në një intervistë për Klan Kosova se idetë për një entiteti të ri politik në Kosovë nuk janë në tavolinë.

“S’është zgjidhje kjo dhe kjo s’është në tavolinë. Ndërmjet shteteve fqinje mund të diskutohen shumë çështje, por ne nuk shohim kurrfarë arsyesh që kjo të diskutohet. Politika jonë është e qartë. S’ka ndryshim kufijsh s’ka shkëmbime të territoreve”, u shpreh Moore.

I pyetur pwr deklaratat e James Rubinit se ish-komandantët e luftës duhet të largohen nga pushteti, Moore tha se për këtë gjë vendosin vetë kosovarët.

“James Rubin është shumë i respektuar. Ka qenë shumë i përfshirë në gjetjen e një zgjidhje paqësore për Kosovën. Nuk kam pasur rastin ta rishikoj komentin e tij për përfshirjen në jetën politike të Kosovës, por unë besoj se kjo është punë e politikanëve dhe votuesve kosovarë”, tha Moore.

Kur është fjala për konfliktet, Moore tha se kosovarët dhe tjerët që shkojnë për të luftuar në Siri, nuk bëjnë punë të dobishme që përfshirë në aso tragjedish.

Ai tha se Amerika është e shqetësuar me atë çfarë po ndodh në atë vend dhe shtoi se Washingtoni do zgjidhje paqësore.