As njohje dhe as OKB
Kryeministri Ivica Dacic i është kundërvënë Ministrit Enver Hoxhaj, duke thënë se nuk do të ketë anëtarësim të Kosovës në OKB. Ai ka përsëritur se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.

Lajme
Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, ka deklaruar sot se Serbia kurrë nuk do të njohë Kosovën dhe nuk do të pranojë anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara (OKB).
Dacic ka thënë për mediat në Beograd se për çështje tjera mund të diskutohet, por është kundër njohjes dhe anëtarësimit të Kosovës në OKB.
“Ne kurrë nuk do të njohim pavarësinë e Kosovës, dhe me këtë, ne kurrë nuk do të pajtohemi me anëtarësimin e saj në OKB. Çdo gjë tjetër mund të jetë anashkalim i procedurave me anë të cilave fjalën e fundit e thotë Këshilli i Sigurimit”.
Duke komentuar deklaratat e Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, se “Kosova do të anëtarësohet në disa agjenci të OKB’së në pjesën e parë e vitit 2014”, Dacic ka thënë se kjo nuk do të arrihet pa marrëveshje dhe bisedime me Beogradin.
Kryeministri serb ka shtuar se anëtarësimi i plotë i Kosovës në OKB nuk do të ndodhë, pa marrë pëlqimin e shteteve anëtare që mbrojnë qëndrimin e Serbisë.