As në seancën e ardhshme nuk diskutohet për Gjykatën Speciale (Video)

Amendamentet me ndryshimet Kushtetuese të cilat do t’i hapin rrugë krijimit të Gjykatës Speciale, nuk do të vijnë në seancën e Kuvendit këtë javë, e cila do të mbahet të mërkurën.

Lajme

04/05/2015 14:18

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se amendamentet për Gjykatën Speciale, tashmë i janë dërguar Komisionit Parlamentar për Legjislacion.

Veseli tha se është e rëndësishme që për këtë çështje të  ruhet konsensusi nacional dhe partneriteti me ndërkombëtarët.

“Ne kemi marrë si Kuvend përgjigje pozitive nga Gjykata Kushtetuese. Tani në bazë të rregullores e kemi proceduar tek Komisioni Parlamentar. Presim një shqyrtim nga Komisioni dhe më pas do të procedojmë”.

“Ajo çka është më kryesore është që të ruhet konsensusi nacional rreth kësaj çështje dhe në të njëjtën kohë të ruhet partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare”.

“Ne jemi duke i respektuar të gjitha procedurat, jemi shtet i pavarur. Deputet e Kuvendit të Kosovës janë shumë të përgjegjshëm”, tha Veseli.

Kryeparlamentari Veseli nuk tha decidivisht se kur deputetët do të mund të votojnë për krijimin e Gjykatës Speciale.

Ai tha se anëtarëve të Komisionit për Legjislacion nuk po u bëhet presion që ta përshpejtojnë procedimin e amendamenteve në seancë.

“Pritet javën e ardhshme. Është koha më e mirë dhe do të shikojmë. Ne do të procedojmë në bazë të institucioneve. Ajo çka është kryesore është se cdo vendim që do e marrim, ajo do të jetë shumë transparente”.

“S’ka presion, përkundrazi ka partneritet shumë të mirë, ka komunikim. Besoj se do të kemi konsensus dhe bashkëpunim edhe me ndërkombëtarët edhe mes vete”, tha kryeparlamentari Veseli.

Shefat e Grupeve Parlamentare, sot në Kryesinë e Kuvendit kanë miratuar rendin e ditës për seancën e ardhshme plenare e cila ka 31 pika.

Seanca sipas kryeparlamentarit Veseli do të mbahet të mërkurën, por për shkak të numrit të madh të pikave të ditës ajo mund të vazhdohet edhe të enjten dhe të premten.

Rendi i ditës përfshinë 14 projektligje dhe 10 raporte vjetore. Kryesia gjithashtu ka futur në rend dite edhe debatin kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike. (lajmi.net)

YouTube player