As miliardat nuk e largojnë varësinë nga thëngjilli

Kosova e ka të vështirë të heqë dorë nga thëngjilli, edhe nëse do të përfitonte miliarda euro, thonë njohës të fushës së energjisë.

Lajme

28/01/2022 16:01

Mbi 90 për qind e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga mihja e thëngjillit dhe nxjerrja e linjitit, ndërsa pjesa tjetër nga burime të ripërtërishme, të tilla si: hidrocentralet, centralet me erë dhe panelet diellore.

Në një raport të publikuar nga organizatat evropiane të mjedisit “The Green Tank” dhe “Bankwatch Network”, të titulluar “Fondi i tranzicionit të drejtë për vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet se Kosova mund të përfitojë mbi katër miliardë euro nga fondet e Bashkimit Evropian, nëse angazhohet për heqjen dorë nga thëngjilli. Si afat në raport përmendet viti 2030.

Kosova, me anë të nënshkrimit të Marrëveshjes së Samitit të Sofjes, dy vjet më parë, është zotuar se deri në vitin 2050 do të dekarbonizohet apo do të zvogëlojë varësinë nga thëngjilli.

Thëngjilli – burim i energjisë që nuk rigjenerohet – prodhon ndotje toksike kur digjet.

Synim i BE-së është që ta reduktojë në maksimum ndotjen nga termocentralet prej thëngjillit, e cila ndikon negativisht edhe në ngrohjen globale.

Ministria e Ekonomisë e Kosovës ka bërë të ditur se është duke hartuar Strategjinë e Energjisë për periudhën 2022-2031.

Në një postim në Facebook, ditë më parë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se objektivat kryesore të Strategjisë së Energjisë janë “rritja e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit me energji, përballueshmëria financiare për konsumatorët, si dhe rruga drejt procesit të dekarbonizimt”, por ajo nuk ka dhënë detaje se si do të realizohen këto.

Tranzicioni, proces që kërkon investim, kohë…

Rinora Gojani, nga organizata rajonale “Balkan Green Foundation”, e cila promovon përparimin gjithëpërfshirës në Ballkanin Perëndimor, thotë se tranzicioni energjetik është proces teknologjik që kërkon financa, kohë, ekspertizë dhe, mbi të gjitha, ambient të mirë të investimit.

“Se a mjaftojnë 4 miliardë euro për të realizuar tranzicionin energjetik të Kosovës, është çështje diskutabile, për shkak të mungesës së një plani të fizibilitetit, porse pa dyshim që kjo do të ndikonte jashtëzakonisht shumë në dekarbonizimin e sektorit të vendit”, thotë Gojani për Radion Evropa e Lirë.

Sipas saj, ky tranzicion energjetik nuk mund të jetë i suksesshëm pa ndërlidhje me shtetet tjera dhe pa shkëmbime të energjisë ndërmjet shteteve dhe rajoneve.

“Me rëndësi është që, përpos ndryshimit të sistemit të nxitjes së burimeve të ripërtërishme të energjisë, të përshpejtohet puna e blerjes së energjisë nëpërmjet sistemit të ankandeve, të nxiten vetëprodhuesit, sidomos ata me panele solare”, thotë Gojani.

Në një deklaratë të mëhershme për Radion Evropa e Lirë, zëvendësministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Kosovë, Linda Çavdarbasha, ka thënë se procesi i tranzicionit në energji të burimeve të ripërtërishme në Kosovë, kërkon kohë më të gjatë se në shtetet e rajonit.

“Po besoj se Kosovës i duhet një kohë më e gjatë për ta bërë këtë lloj tranzicioni, mirëpo nuk është e pamundshme. Kështu që, energjia e erës dhe energjia solare janë dy burimet e energjisë, të cilat kanë potencial për t’u zhvilluar në Kosovë”, ka thënë Çavdarbasha.

Çeku: Thëngjilli s’ka alternativë

Ish-ministri i Energjisë i Kosovës, Ethem Çeku, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova nuk mund të heqë dorë nga thëngjilli, sepse nuk ka burime të tjera.

“Sot, gjysmën e Gjermanisë e kemi me thëngjill, Amerika një të tretën e produkteve i ka me thëngjill. Ato [termocentralet me thëngjill], në një kohë, do të mbyllen, por [këto vende] kanë burime të tjera, si hidrike, energji atomike… kanë dhjetëra alternativa tjera. Te ne, cila është ajo alternativë që e zëvendëson thëngjillin?”, pyet Çeku.

Edhe Arben Gjukaj, ish-drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova është larg plotësimit të kërkesave me anë të burimeve të ripërtërishme.

Ai thotë se fondet e BE-së do të mundësonin një “tranzicion më të butë” në burime të ripërtërishme, por, sipas tij, Kosova e ka më të vështirë sesa vendet tjera, sepse edhe varësinë nga thëngjilli e ka më të madhe.

“Ne varemi 95 për qind nga burimet e energjisë nga thëngjilli, andaj kërkohet mobilizim i konsiderueshëm i burimeve financiare”, thotë Gjukaj.

Sipas raportit të organizatave “The Green Tank” dhe “Bankwatch Network”, Kosova prin në rajon sa i përket përdorimit të thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike – me 95 për qind. Ajo pasohet nga Serbia me 68 për qind, Bosnje e Hercegovina me 63 për qind, Maqedonia e Veriut me 60 për qind dhe Mali i Zi me 44 për qind.

Termocentralet“Kosova A” dhe “Kosova B”, që ndodhen në qytetin e Obiliqit, janë burimet kryesore të rrymës me anë të djegies së thëngjillit, ndonëse nuk i plotësojnë nevojat e shtetit, kryesisht për shkak të vjetërsisë.

Sipas të dhënave të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE), Kosova e ka nisur vitin 2022 me nivel të ulët të gjenerimit të rrymës: nga 500 deri në 800 megavatë në orë.

Kërkesat, ndërkaq, ndryshojnë varësisht ditës apo javës.

Për shembull, më 19 janar, kapacitetet vendore të prodhimit kanë qenë 727 megavatë, kurse konsumi ka arritur deri në 1,317 megavatë. Për plotësimin e nevojave, Kosova importon rrymë.

BE-ja ka vënë një objektiv të detyrueshëm që deri në vitin 2030, energjia e prodhuar nga burimet e ripërtërishme të jetë 32 për qind.

Ky rregull duhet të respektohet edhe nga Kosova, e cila synon që një ditë të bëhet anëtare e BE-së.