Artizanati drejt zhdukjes, Skënderbeu “kinez” mbush pazarin e Krujës

Sadete Kurti sapo ka nisur endjen në tezgjah të një qilimi tradicional të zonës- një punë e lodhshme dhe me pak leverdi për klientelën e rrallë të dyqanit të saj në pazarin e vjetër të Krujës.

Lajme

26/04/2015 17:16

Qilimi tre metra i gjerë dhe katër i gjatë do t’i kushtojë 1 muaj punë dhe është shitur paraprakisht për 20 mijë lekë.

“Vetëm të huajt janë të interesuar për qilimat e mi. Punoj me porosi,” thotë Sadete Kurti për BIRN.

Gruaja rreth të 50-ave e ka mësuar zanatin fare e re, në ndërmarrjen artistike të Krujës bashkë me shumë vajza të zonës. Por në pazarin e Derexhikut, ajo është ndër të pakëtat gra që e ushtron ende artizanatin.

Sadete Kurti thotë se vazhdon të punojë në tezgjah, pasi nuk ka asnjë mundësi tjetër punësimi. “Këtë dyqan e kam marrë me qira sa për të siguruar një rrogë gruaje,” thotë ajo, e kërrusur mbi makinerinë e lartë.

aa

Endja në tezgjah është një zeje në zhdukje në Krujë, edhe pse janë të rralla shtëpitë që nuk kanë një vegël artizanale. Të njëjtin fat kanë pësuar edhe zejet e tjera.

Para viteve ’90, rreth pesë mijë krutanë ishin të punësuar në ndërmarrjet e zejtarisë në qytet. Ndërsa sot në Krujë, me zor gjen zanatçinj për punimin e bakrit, gurit, drurit apo qeramikës.

Pazari i vjetër i Krujës ose siç thirret nga vendasit, pazari i Derexhikut shtrihet në të dy anët e rrugës së vjetër me kalldrëm, që të çon për në kalanë e Skënderbeut. Dyqanet e njëtrajtshme dhe çatitë me tjegulla të vjetra i japin këtij pazari një hijeshi të veçantë.

Dokumentet tregojnë se pazari i vjetër është ndërtuar rreth 400 vjet më parë dhe në të kishte 150 dyqane, që nisnin nga hyrja e kalasë e deri tek Hani i Picorrit, aty ku ndodhet Bashkia e Krujës.

Në ditët e sotme kanë mbijetuar rreth 80 dyqane, që shesin antikuare, punime artizanale dhe lloj-lloj xhinglash të prodhimeve në seri.

Pazari i vjetër rrudhet nga viti në vit, por mbetet ende artieria kryesore e Krujës, që furnizon qytetin me turistë të huaj dhe të ardhura për banorët.

Megjithatë, shumica e objekteve që mbushin dyqanet janë të prodhuara në Kinë.

Mallrat kineze janë shndërruar në shqetësimin kryesor për Sanije Sallakun, e cila për të përballuar konkurrencën, gjysmën e hapësirës së dyqanit të saj e ka mbushur me objekte të tilla.

aaa

Në dyqanin e saj gjenden me bollëk suvenire me portretin e Skënderbeut apo të shenjtit Shna Ndou, veshje popullore e deri tek gotat e çajit me fotografi të Enver Hoxhës, Sali Berishës dhe Edi Ramës-të gjitha “Made in China”.

Tregtarët tregojnë se një suvenir i Skënderbeut blihet për 800 lekë në Kinë dhe shitet në pazarin e Derexhikut për 20 euro. Të njëjtin çmim kanë edhe suveniret e shenjtit apo panoramat në qeramikë të Kalasë së Krujës.

Portretet e Enver Hoxhës, Berishës apo Edi Ramës prodhohen për shumë më pak para në Kinë.

Reportazhin e plotë me fotografi mund ta lexoni në Reporter.al