Arti dhe Politika e Hivzi Muharremit
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Hivzi Muharremi, premton ndryshime rrënjësore në Pejë, në rast se fiton garën më 3 nëntor.

Lajme
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Kryetar të Komunës së Pejës, Hivzi Muharremi, thotë se do të bëjë ndryshime rrënjësore në të gjitha fushat, në rast se zgjidhet Kryetar i Pejës, në zgjedhjet e 3 nëntorit.
Profesori i Fakultetit të Arteve thotë se në rast e fiton, përparësi do t’i jep sektorit të bujqësisë dhe turizmit, me të cilat, sipas tij, do ta rrisë numrin e vendeve të punës si dhe zhvillimin e ekonomisë.
“Kur e them në zhvillimin e bujqësisë, fjala është gjenerimi i vendeve të punës. Dhe, sipas projektit tonë, sipas planit tonë, nëse një prodhues, njëri i cili e hap një ndërmarrje do t’i punësojë dhjetë vetë, atëherë ne do ta lirojmë atë nga tatimi i pronës”.
“Sa më shumë që punëson aq më shumë do të ketë lirime nga Komuna. Për periudhën 3 deri 5 vjeçare do të lirohet nga të gjitha ngarkesat, shpenzimet për buxhetin e Komunës. E pas 3 vjetëve apo 5 vjetëve mandej fillon në mënyrë retroaktive që t’i paguajë obligimet e vjetra që i ka për ndërmarrje”.
Profesorit të Arteve nuk i pëlqejnë parashikimet. Prandaj, edhe nuk dëshiron të flasë me shifra për pritjet e tij më 3 nëntor. Por ka një kërkesë për qytetarët: dilni sa më shumë në votime.
“Unë kurrë në jetën time kreative si krijues nuk i kam dashur parashikimet. Mesazhi im është që sa më shumë të dalin dhe të votojnë. Kush është më i miri le ta vlerëson vetë votuesi”.
Duke folur për programin e tij, Hivzi Muharremi thotë se ai bazohet në tri shtylla: Shteti i së Drejtës, Shteti Social dhe Shteti Zhvillimor.
(Kosovapress / lajmi.net)