Arteta flet për vendimin e Xhakës për të mos e marrë vaksinën

Menaxheri i Arsenalit, Mikel Arteta ka folur në konferencë për shtyp para ndeshjes ndaj Norwich, duke dhënë të rejat e skuadrës për fundjavë.

Sport

09/09/2021 17:27

Spanjolli ka mirëpritur rikthimet e lojtarve si Thomas Partey, Gabriel Magalhaes e Ben White, gjersa Mohamed Elneny do të mbetet jashtë për dy apo tre javë.

Arteta ka folur edhe për situatën e Granit Xhakës i cili së fundi rezultoi pozitiv me COVID, gjersa i ishte bashkuar Kombëtares Zvicërane.

39-vjeçari ka theksuar se Graniti po bën mirë dhe sapo të rikuperohet plotësisht ai do t’i bashkohet skuadrës.

“Ai po bën mirë, ai është ende në vendin e tij dhe duhet të qëndrojë atje deri të shtunën besoj. Sapo të lirohet dhe është mirë të udhëtojë, ai do të jetë këtu me ne”, është shprehur Arteta.

I pyetur rreth vendimit të Xhakës për refuzimin për të mos e marrë vaksinën, Arteta theksoi se vaksinimi aktualisht duket gjëja e duhur për të bërë por në fund të fundit ajo është çështje personale dhe duhet ta respektojmë atë.

“Ne po përpiqemi të shpjegojmë të gjitha arsyet pse besojmë se është gjëja e duhur për të bërë. Sa do të mbrojë, para së gjithash klubin, së dyti shokët e skuadrës dhe mjedisin që ata janë përreth.

“Ekspozimi që do të kishim nëse ata nuk e bëjnë atë, por përsëri, është një gjë vërtet personale. Natyrisht, ato do të kufizohen në aspekte të caktuara nëse nuk kanë [vaksinë] sepse nuk duam të ekspozohemi në gjëra të caktuara. Në fund të ditës është një çështje personale, nuk është një detyrim dhe ne duhet ta respektojmë atë”, ka përfunduar menaxheri spanjoll.

Përndryshe Graniti nuk do të mund të paraqitej këtë fundjavë edhe sikur të mos rezultonte pozitiv me COVID, pasi ai është i suspenduar për ndeshjen ndaj Norwich pas kartonit të kuq që e mori në sfidën ndaj Manchester City-t. /Lajmi.net