Artan Santo i vrarë nga agjentë serbë, qëllim destabilizimi i Shqipërisë?

Pistë e re për vrasjen e biznesmenit, bankierit dhe botuesit, Artan Santo, te i cili thuhet se “faleshin” të majtë dhe të djathtë, sipërmarrës në vështirësi dhe politikanë. Dyshimet se dora e agjenturave të huaja fshihet pas ekzekutimit mafioz të Artan Santos, sa vijnë dhe artikulohen në rrethet politike dhe mes grupeve hetimore.

Lajme

29/06/2014 14:31

Dyshimet thellohen më tej, kur gjithçka është kryer me shpejtësi, në harkun kohor të 60 sekondave, me profesionalizëm të lartë, sipas planit, pa lënë asnjë gjurmë, asnjë gëzhojë, asnjë shenjë dhe duke i shpëtuar lehtësisht policisë. Vrasësit janë zhdukur si fantazma, duke dëshmuar për një mbështetje të fortë dhe të organizuar nga pas. Kjo pistë lidhet me një skenar të jashtëm, i cili synon destabilizimin e vendit, pas goditjes së sistemit financiar shqiptar, duke qenë se banka e Santos është një nga katër bankat më të mëdha në Shqipëri dhe që zotëron një pjesë të mirë të tregut, raporoton Ora News.

Dhe vrasja e Santos ka krijuar pasiguri dhe panik në vend.

Ndërkaq, avokat Idajet Beqiri shkon më tej, kur thotë se në Shqipëri hyjnë çdo vit për misione speciale 20 spiunë serbë.

“Vrasja e Santos është një krim makabër që tregon një shkallë organizative tepër të lartë. Agjenturat e huaja janë ulur këmbëkryq në Shqipëri që në vitin 1992 dhe veprojnë deri në majat më të larta të pushtetit. Në çdo vit në Beograd mbarojnë shkollën për gjuhën shqipe 20 njerëzit më të zgjedhur serbë dhe këta persona i kemi nëpër këmbë deri në SHISH. Ata hidhen në veprim për të destabilizuar vendin”, pohoi Beqiri.

Më tej, avokati ka hedhur të tjera hipoteza mbi vrasjen e Artan Santos.

Sipas tij, vrasja e biznesmenit është vrasje e mirëfilltë politike, me synimin e vetëm, për të destabilizuar vendin dhe rënien e shtetit më keq se në ’97. Beqiri pohoi dhe versionin tjetër se, pas vrasjes së bankierit mund të fshihet një kredimarrës, ku ky i fundit është shfrytëzuar nga të tjerë persona.

“Kjo është vrasje e mirëfilltë politike, që kërkon destabilitet ekonomik, shkatërrim të bankave, dhe rënien e shtetit shqiptar më keq se në ’97. Kur ka një krim kaq të madh, luhen brenda shumë interesa. Mund të jetë vrarë edhe nga dikush që ka pasur një kredi shumë të madhe dhe ky ka rënë pre e personit që ka kërkuar eliminimin e Santos”, theksoi Beqiri.

Policia e Shtetit dhe prokuroria kanë ngritur një tjetër pistë për zbardhjen e identitetit dhe kapjen e dy autorëve që kryen atentatin mafioz në zemër të kryeqytetit ditën e enjte, duke ekzekutuar bankierin Artan Santo. Bëhet fjalë për variantin e kokainës. Gjatë ditës së shtunë janë pyetur në burg shtetasit Astrit Bushi dhe Kujtim Çela, të cilët qëndrojnë pas hekurave nën akuzën e trafikimit të drogës, pas zbulimit të një laboratori kokaine në një vilë në Mamurras. Kujtim Çela është vëllai i Gëzim Çelës, i cilësuar si baroni i drogës.

Ai vijon të jetë ende i lirë, duke i shpëtuar operacionit antidrogë në banesën e tij në Fushë Kuqe të Mamurrasit, ku u gjet kokainë me vlerë disa milionë euro, si dhe një arsenal armësh. Mbetet e paqartë se si mundi Gëzim Çela, një njeri jo pak i njohur për policinë e drejtësinë shqiptare në tërësi, t’ju shpëtonte prangave. Por, akoma më e paqartë mbetet lidhje e të lartpërmendurve me vrasjen e Santos.