Arsyetime boshe nga qeveria e presidenca: Kosova megjithatë mund të garantojë për krerët e UÇK-së

Sot nga Qeveria e Kosovës kanë deklaruar se Kosova nuk mund të ofrojë garancë për mbrojtjen në liri për ish-krerët e UÇK-së që janë duke u mbajtur në paraburgim në Hagë.

Lajme

05/05/2021 14:39

Sipas zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, garancia nga Gjykata Speciale nuk kërkohet nga shteti amë (Kosova) e as nga kryeministri i shtetit amë,nga i cili vjen i akuzuari dhe të cilit shtet i takon Gjykata Speciale me juridiksion, andaj sipas tij Kosova nuk mund të shërbejë si garantuese.

Presidenca: Kosova s’mund të garantojë lirimin me kusht për Thaçin dhe të tjerët

Por, ndryshe ka thënë njohësi i çështjeve juridike, Ehat Miftaraj, i cili në një prononcim për lajmi.net ka cekur se edhe Kosova konsiderohet vend apo shtet i tretë, gjë që i lejon ofrimin e garancës.

“Në bazë të Drejtës Ndërkombëtare Publike por edhe në bazë të mënyrës si funksionon Gjykata Speciale, Kosova mund të konsiderohet si vend i tretë. Edhe përkundër faktit që Kosova e ka formuar Gjykatën Speciale, Republika e Kosovës nuk ka asnjë mandat apo kompetencë qoftë në kontrollin e kësaj gjykate, qoftë në mbajtjen llogaridhënëse të së njëjtës. Është Këshilli i Bashkimit Evropian i cili e financon këtë Gjykatë dhe janë shtetet që janë pjesëmarrëse në financimin e së njëjtës që nënkupton se ato shtete që kanë gjyqtarët, prokurorët apo stafin e vet në këtë Gjykatë, atëherë këto shtete nuk hyjnë në listën e shteteve apo vendeve të treta që mund të ofrojnë garancë”, ka thënë Miftaraj.

Ai ka thënë se shteti i Kosovës nuk ka asnjë kontroll mbi këtë Gjykatë, andaj edhe konsiderohet vend i tretë.

“Kosova nuk e kontrollon, nuk e financon dhe nuk ka gjyqtarë, prokurorë apo staf të saj të në këtë Gjykatë,  pra në rast se të pandehurit mund të dënohen apo të vuajnë dënimin në një shtet tjetër që nuk është Kosova, atëherë Kosova i plotëson të gjitha kriteret për tu konsideruar ‘shtet apo vend i tretë’”, ka deklaruar Miftaraj për lajmi.net.

Ai ka thënë se shtet apo vend i tretë konsiderohet ai shtet i cili nuk merr pjesë në financimin e kësaj gjykate, gjithashtu edhe shtetet të cilat nuk kanë gjyqtarë, prokurorë apo staf në këtë Gjykatë dhe shtetet të cilat në cilëndo formë nuk e mbajnë llogaridhënëse këtë Gjykatë.

“Edhe pse Gjykata është e pavarur në kuptimin e saj, sigurisht sa i përket shpenzimit të buxhetit, operimit të saj, ajo duhet të raportojë tek Këshilli i Bashkimit Evropian”, ka përfunduar Miftaraj.

Kujtojmë se së fundmi është raportuar që shtetet si Sllovenia, Izraeli, Kroacia dhe Austria kanë ofruar garancë për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, por që dy të fundit e kanë mohuar zyrtarisht një veprim të tillë. /Lajmi.net/