Arsyetim i ulët i kandidates së VV-së për deputete lidhur me djegien e flamurit të Kosovë

Ani pse dogji flamurin e Kosovës, kandidatja për deputetet nga Vetëvendosje sulmon mediat duke u arsyetuar se ajo që bëri ishte shumë vite më parë.

Lajme

18/09/2019 15:15

Është Mimoza Shala, kandidatja e VV-së për deputete që ajo së bashku me dy aktivistë të VV-së në Gjakovë, në vitin 2012 djegën flamurin e Kosovës.

Ajo ka tentuar të arsyetoj veprimin e saj, ku pretendon se çka bënë bashkë me aktivistët tjerë që shihen në fotografi, para më shumë se shtatë vitesh “është mënyra e njohur e shprehjes së pakënaqësisë, prej SHBA-ve, e Skandinavisë, e gjer në Australi”.

Reagimi i saj nuk përfundon me kaq, ajo sulmon edhe mediat që publikuan fotografinë, e cila ishte publikuar në rrjete sociale në vitin 2012, nga vetë personat që shihen në fotografi.

Në të shihet kandidatja e VV-së për deputete, Mimoza Shala dhe dy aktivistë tjerë nga Gjakova, të kësaj partie teksa manifestojnë djegien e flamurit të shtetit të Kosovës.

Ky është reagimi i plotë i Mimoza Shalës:

Një portal i afërt me PDK më paska damkosur dje se gjoja nuk e dashkam Kosoven, pse kam protestuar në mjedise kur janë djegur simbole të shtetit.

Unë e pranoj që kam manifestuar shpesh kundër kapjes së shtetit. Kundër kapjes nga ndërkombëtarë, kur na përcaktonin simbolet si indigjeneve dikur në Afrikë. Kundër kapjes nga Kisha Ortodokse Serbe, kur na teshin me demagogji. E kundër kapjes nga mafia jonë, që na le pa të ardhme.

Gjatë këtyre manifestimeve mund të ketë patur edhe protesta spontane kundër emblemash të ndryshme, që janë parë si derivate të korrupsionit. Qoftë nga ndërkombëtarë, nga Serbia, a nga shteti ynë i kapur. Kjo është mënyra e njohur e shprehjes së pakënaqësisë, prej SHBA-ve, e Skandinavisë, e gjer në Australi. Unë për vete mundohem të kuptoj e të luftoj arsyet e pakënaqësive.

Unë dua shtet, por jo çdo lloj shteti. Një shoqëri ku qytetarët duhet t’i sherbejnë shtetit quhet diktaturë. Demokraci quhet kur shteti u shërben qytetarëve. Nëse shteti cënon kundërligjshëm liritë e qytetarëve, është obligim moral i qytetarit që të shprehë pakënaqësi. Them se ky në fakt është vete thelbi i demokracisë.

Kundershtarët e mi mund të thonë se ky qëndrim më diskualifikon nga politika. Por mua vjen keq pse ata janë kaq analfabetë. Unë për vete them se mu ky qëndrim, e gatishmëria ime që të jetoj ashtu si mësoj, më bën të denjë për parlament.

Nga politika do diskualifikuar demagogët dhe mafiozët: ata qe kanë kapur shtetin tonë. Ky është qëndrimi im. Por fjalën e fundit le ta kenë bashkëqytetarët e mi. Këta do të vendosin se kë duan më fort në parlament. Dhe unë do t’i besoj verdiktit të tyre, por u premtoj një gjë. Unë do të mbetem vetvetja, pavarësisht se a do te ulem në parlament a jo.

Jam kjo që jam. Kështu jam gatuar, kështu di ta dua unë Kosovën. Pa hile, pa dredha, pa kompromise. Dhe s’e kam hiç ndërmend të ndryshoj për të tjerë. /Lajmi.net/