Arsimimi i femrës, çelës për përfshirjen e grave në politikë dhe ekonomi

Kryetari i Kuvendi të Kosovës, Kadri Veseli tha se arsimimi i femrës çon në përfshirjen e saj në jetën politike dhe ekonomike, e sipas tij, përfshirja e tillë sjellë barazi gjinore.

Lajme

08/03/2015 12:58

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, 8 Mars, kur të gjitha femrat shqiptare të përfshira në politikë janë mbledhur në një seancë në Prishtinë, Veseli kishte marrë bashkëshorten e tij për t’i pritur ato në Kuvend dhe për t’iu uruar këtë festë.

Kryeparlamentari i Kosovës tha se duhet ndërtuar një shoqëri pa diskriminim gjinor, ku pjesëmarrja e femrës në jetën publike kuptohet si diçka e natyrshme dhe vlerë e domosdoshme.

Kosova sipas tij ka bërë mjaft për barazi gjinore, por pranoi se mbetet shumë për tu bërë.

“Praktikat e diskriminimit gjinor dhe paragjykimeve gjinore ndaj gruas vazhdojnë të shfaqen në shumë fusha të realitetit tonë social. Në këtë rrafsh arsimimi përbën një instrument të fuqishëm për tu përballur me këtë sfidë që i bëhet zhvillimit tonë të shoqërisë”, tha ai.

Sipas Veselit, arsimimi i femrës është rruga më e mirë për përfshirjen e saj në jetën politike dhe ekonomike.

“Arsimi i femrës është rruga më e mirë për përfshirjen e saj në jetën politike dhe ekonomike. Përfshirja sjell vet barazinë gjinore, si fakt të kryer. E ne burrat nuk kemi çfarë bëjmë tjetër para një fakti të tillë, përveçse ta pranojmë”, tha ai.

Veseli uroi të gjitha grave ua uroi 8 Marsin dhe nuk hyri në seancën e paralajmëruar nga gratë, udhëheqjen e saj ia la Teuta Arifit nga Maqedonia.