Arsenali i Kosovës

Viti 1988 shënon dy ngjarje në vende të ndryshme, por që me emër lidhen me njëra-tjetrën. Në Angli do të bëhet kampion pas 18 viteve, një nga klubet më të mëdha të futbollit anglez, Arsenali. Ndërkaq, në Kosovë do të lind një Arsenal i ri.

Sport

17/04/2015 09:33

Ta kesh një emër që nuk të beson askush. Kjo i ndodhë djaloshit nga Prishtina, Arsenal Biqku, sa herë që takohet me njerëz të rinj.

Viti 1988 shënon dy ngjarje në vende të ndryshme, por që me emër lidhen me njëra-tjetrën. Në Angli do të bëhet kampion pas 18 viteve, një nga klubet më të mëdha të futbollit anglez, Arsenali. Ndërkaq, në Kosovë do të lind një Arsenal i ri. Është ky djaloshi nga Prishtina, i cili mban emrin e skuadrës së ‘Topçinjve’.

Ta kesh një emër që nuk të beson askush, kjo i ndodhë Arsenal Biqkut, sa herë që takohet me njerëz të rinj.

“Kur prezantohem para njerëzve të rinj, shumica ma kthejnë përgjigjen: ‘unë jam Liverpool ose Manchester’. Mendojnë se po bëj hajgare dhe kërkojnë nga unë që t’ua tregoj letërnjoftimin”, tregon Arsenali për Gazetaolle.com.

“Madje disa prej tyre më pyesin nëse jam shqiptar”, shton ai duke qeshur. Pyetja për skuadrën e zemrës do të ishte e pakuptimtë në këtë rast, por Arsenali tregon se është edhe tifoz i FC Prishtinës.

Emri i klubit londinez dhe historia e Biqkut kanë pak dallim në domethënie. Atë kohë babai i tij si dashamirës i sportit ka qenë në dijeni për ekzistimin e FC Arsenalit, pasi ka përcjellë ligat evropiane. Por, arsyeja pse e pagëzoi të birin me këtë emër ka një domethënie tjetër.

“Ka të bëjë me arsenalin ideologjik, arsenal armësh. Kjo fjalë në trajtën e emrit i ka pëlqyer babait tim dhe prandaj ka vendosur kështu. Të gjithë janë çuditur me vendimin e tij. Por unë ndihem shumë mirë me këtë emër dhe jam i lumtur”, thekson Arsenali për Olle.

Janë dy gjëra që ai nuk i dëshiron t’i ndërroj kurrë në jetë. Arsenalin dhe Arsenalin! Klubin e zemrës dhe emrin e tij në të cilin është mishëruar tashmë. Djaloshi 27-vjeçar luan futboll një herë në javë në fushat e futbollit të vogël.