Arsenali i kapur ushtarak në veri, Serbia mohon përgjegjësinë për sulm terrorist

Beogradi zyrtar ka mohuar të ketë dorë pavarësisht arsenalit të shumtë ushtarakë të kapur dhe tetë personave të arrestuar për pjesëmarrje në sulmin terrorist në veri të Kosovës. Kosova ka akuzuar Serbinë përgjegjëse për sulmin, të cilin e cilësuan si terrorist. Sulmet u dënuan edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu edhe nga Bashkimi…

Lajme

30/11/2024 20:38

Beogradi zyrtar ka mohuar të ketë dorë pavarësisht arsenalit të shumtë ushtarakë të kapur dhe tetë personave të arrestuar për pjesëmarrje në sulmin terrorist në veri të Kosovës.

Kosova ka akuzuar Serbinë përgjegjëse për sulmin, të cilin e cilësuan si terrorist. Sulmet u dënuan edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu edhe nga Bashkimi Evropian.

Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se vendi i tij “nuk ka lidhje me shpërthimin në kanalin Ibër-Lepenc.”

“Nuk nxitova të deklarohem, nuk do t’i arsyetohem askujt. Kur dikush është duke u ndjekur, qëndroni larg dhe mos merrni pjesë në të. Asnjëherë mos merrni vendime me frikë, kurrë mos merrni vendime nën presion. Çfarë mendoni se nuk nxitova sot në mëngjes të them se Serbia nuk ka lidhje me shpërthimin në kanalin Ibër-Lepenc. Përse, t’i arsyetohem dikujt? Ndërsa ata e dinë që ne nuk e kemi bërë! Të vrapoj nëpër mediat botërore për tu justifikuar, edhe ashtu do ta interpretojnë si duan”, tha ai.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, akuzoi “regjimin etno-nacionalist të Albin Kurtit se nxitoi ta drejtojë gishtin drejt Serbisë pa prova” dhe se “akuza të tilla të parakohshme janë një diversion i qëllimshëm, duke treguar potencialisht përfshirjen e regjimit të Albin Kurtit.”

“Këto akuza të pabaza minojnë përpjekjet për një dialog konstruktiv dhe shërbejnë vetëm për të përshkallëzuar tensionet në një situatë tashmë delikate”, theksoi Gjuriq.

Mbrëmë rreth orës 19:00, një mjet shpërthyes është hedhur në kanalin e ujësjellësit Ibër-Lepenc në Varagë të Zubin Potokut. Kjo ka sjellë rrezikimin e furnizimit me ujë të pijshëm për të gjithë rajonin, si dhe rrezikimin e funksionimit të sistemit të ftohjes në termocentralet e KEK-ut.

Policia e Kosovës sot ka ekspozuar një sasi të madhe armatimi e pajisjesh ushtarake të kapura në veri, gjatë të cilit janë arrestuar edhe tetë persona në kontrollet e kryera në dhjetë lokacione në veri, nën dyshimet për pjesëmarrje në sulmin më të madh ndaj infrastrukturës kritike jetike në Kosovën e pasluftës.