Arsenali gabon nëse e rikthen Fabregasin
Legjenda e Arsenalit, Ray Parlour thotë se gjiganti londinez do të gabojë nëse rikthen Cesc Fabregasin nga Barcelona, gjatë afatit kalimtar të verës. Ai thekson se skuadra ka shumë futbollistë të ngjashëm me ish kapitenin.
Sport
Legjenda e Arsenalit, Ray Parlour ka këshilluar klubin londinez të mos tentojë rikthimin e mesfushorit Cesc Fabregas, gjatë afatit kalimtar të verës.
Fabregas spekulohet se mund të largohet nga Barcelona, dhe Arsenali ka opsionin e parë për rikthimin e tij në Emirates, të caktuar në marrëveshjen për transferimin e tij në Camp Nou më 2011.
Fabregas vazhdon të konsiderohet idhull i tifozëve të Arsenalit, dhe menaxheri Arsene Wenger spekulohet se është duke planifikuar të ofrojë 30 milionë funte për transferimin e tij.
Por, Parlour është kundër.
“Arsenali ka shumë futbollistë të ngjashëm me Fabregasin, Santi Cazorla, Mesut Ozil e Jack Wilshere, ku do të luante ai?”, deklaroi Parlour për tabloidin britanik Mirror.
“Fabregas ishte shumë i mirë për ekipin, por nuk duhet të jetë më prioritet”, përfundoi ai.