Arrijnë vullnetarët amerikanë, dy vjet punë falas për Kosovën

Në Kosovë ka arritur grupi i parë i Vullnetarëve të Korpusit të Paqes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët për dy vite do të jetojnë dhe punojnë si mësues të gjuhës angleze në komunitetet anekënd vendit.

Lajme

13/06/2014 13:19

Gjithsej 25 vullnetarët amerikanë vijnë nga komunitete nga e gjithë SHBA-të dhe janë të përkushtuar të shërbejnë si mësues të gjuhës angleze nëpër shkollat e mesme të Kosovës.

Ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, së bashku me Drejtorin e Korpusit të Paqes për Kosovën, Stephen Kutzy, dhe Drejtoreshën e misionit të USAID-it, Maureen Shauket, kanë dalë në aeroportin “Adem Jashari” për t’i mirëpritur vullnetarët.

“Krenohem shumë që mirëpres vullnetarët e parë të Korpusit të Paqes në Kosovë”, tha ambasadorja Jacobson.

“Korpusi i Paqes pasqyron shumë vlera të cilat gjenden në thelbin e jetës amerikane, përfshirë këtu edhe rëndësinë u vullnetarizmit dhe shërbimit për të tjerët. Pres të shoh kontributet e rëndësishme që e di se vullnetarët janë në gjendje t’i japin në komunitetet e tyre. Shërbimi i tyre do të forcojë lidhjen e miqësisë mes shteteve tona për vitet që vijnë”.

“Hapja e një programi të ri të Korpusit të Paqes është një nder i vërtetë dhe ne jemi të kënaqur që Kosova është bërë shteti i 140-të në historinë e shërbimit të Korpusit të paqes”, tha Drejtori i Korpusit të Paqes për Kosovën, Kutzy.

“Vullnetarët janë këtu për t’u angazhuar me komunitetet e Kosovës në nivel lokal. Ata do të punojnë shumë që të mësojnë zakonet e Kosovës dhe të mësojnë gjuhët lokale, dhe të ndajnë shkathtësitë dhe të zhvillojnë projekte që merren me nevojat e komuniteteve të tyre nikoqire. I jemi mirënjohës popullit të Kosovës për mikpritjen e shkëlqyeshme dhe partneritetin”, tha ai.

Korpusi i Paqes filloi programin e tij të parë në Kosovë me ftesë të Presidentes Atifete Jahjaga, e cila formalisht nënshkroi një marrëveshje shtetërore me zyrtarë të Korpusit të Paqes në shtator të vitit 2013.

Para se të shkojnë në pikat e tyre të shërbimit vullnetarët do të aftësohen për tre muaj në mënyrë gjithëpërfshirëse për aspektet ndërkulturore, gjuhësore, dhe teknike.

Vullnetarët inkurajohen poashtu që të marrin pjesë në projektet e komunitetit dhe shkollave të cilat ofrojnë mundësi për të shkëmbyer përvojat, transferuar shkathtësitë dhe dijen, dhe për të ndërtuar mirëkuptim më të madh mes vullnetarëve dhe komuniteteve nikoqire.

Korpusin e Paqes e ka themeluar Presidenti John F. Kennedy, me anë të një urdhri ekzekutiv me 11 mars 1961, dhe prej atëherë më shumë se 215,000 amerikanë kanë shërbyer në 140 shtete nikoqire.

Vullnetarët e Korpusit të Paqes duhet të jenë shtetas të SHBA-ve dhe mbi 18 vjeç.

Shërbimi në Korpusin e Paqes është një angazhim 27-mujor dhe misioni i agjencisë është që të promovojë paqen dhe miqësinë botërore dhe të kuptuarit më të mirë mes amerikanëve dhe popujve të shteteve tjera.