Arrijnë shumë ftesa të reja nga Specialja

OVL e UÇK-së thotë se shumë ftesa tjera kanë arritur nga Gjykata Speciale, por nuk tregon emrat

Lajme

20/07/2019 23:38

Ftesat për udhëheqësit e ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po shtohen dita ditës.

Të premten, pos kryeministrit tashmë në dorëheqje Ramush Haradinajt dhe këshilltarin e presidentit Hashim Thaçit, Bislim Zyrapi, dhe ish kryetarit të Komunës së Klinës, Sokol Bashota, u përfol edhe për ftesa të tjera që tashmë kanë arritur në Kosovë, raporton T7.

Edhe vetë presidenti i vendit e pohoi se edhe eprorë të tjerë të UÇK-së janë ftuar nga Gjykata Speciale.

Një ditë më vonë, në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së pohojnë se ka shumë ftesa për ish ushtarë të UCK-së.

Hysni Gucati nga kjo organizatë, thotë se nuk përjashtohen as ish komandantët por nuk përmend emra.

Ai tregon se për disa ftesa njoftohen paraprakisht.

Edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka thotë se në listë janë shumë zyrtarë tjerë të shtetit.

Madje Zeka thotë se një deputet veçse është intervistuar por që nuk e ka bërë këtë publike.