Arrijnë ndihmat e para në Kumanovë

Në "Lagjen e Trimave" në Kumanovë u shpërndan ndihma humanitare për qytetarët të cilët ishin shpërngulur gjatë aksionit policor 28 orësh që ndodhi më datë 9 dhe 10 maj për zmbrapsjen e një grupi të armatosur.

Lajme

11/06/2015 21:58

Ndihmat humanitare ndaj qytetarëve të Kumanovës erdhën nga Bashkia e qytetit të Bursës në Turqi, në bashkëpunim me Komunën e Çairit dhe Kryqin e Kuq të Maqedonisë.

Një Kamion 14 tonësh me ushqime elementare, me gjithsej 1.570 artikuj, përfshirë edhe mjete higjienike dhe shtretër për një famije mesatare u shpërndanë gjatë ditës së sotme. Që prej kohës kur ndodhi konflikti mes policisë maqedonase dhe grupit të armatosur, kjo është ndihma e parë humanitare e ofruar nga një shtet i huaj për qytetarët e prekur nga konflikti, raporton Anadolu Agency.

Këshilltar i Bashkisë së Bursës, Emir Cemal Beşkardeş, gjatë shpërndarjes së ndihmave humanitare, theksoi se Bashkia e Bursës mundohet të ndihmojë të gjitha shtetet ballkanike, ndërsa më tej shprehu kënaqësi që kjo Bashki ndihmon edhe qytetarët e Kumanovës..

“Ne jemi të pranishëm në të gjitha shtetet ballkanike, Bosnje, Kosovë, Shqipëri dhe në vende tjera, ndërsa sot jemi këtu në Kumanovë që të shpërndajmë ndihma qytetarëve të këtij qyteti. E rëndësishme është që në momente të tilla t’i ndihmojmë dhe tu japim kurajo atyre që kanë më shumë nevojë”, tha Beşkardeş.

Koordinator i Kryqit të Kuq – Çair, Alajdin Sulejman, theksoi se Kryqi i Kuq ka marrë pjesë në këtë aksion humanitar duke bërë përpjekje që ndihmat të arrijnë sa më shpejtë në duart e qytetarëve të Kumanovës.

Në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë situata tashmë është e qetë, por një numër i madh i shtëpive janë të dëmtuara. Disa prej tyre janë duke u riparuar, që qytetarët e shpërngulur sa më shpejt dhe të kthehen nëpër shtëpitë e tyre. Përleshjet mes policisë dhe grupeve të armatosura në Kumanovë filluan në mëngjesin e 9 majit dhe zgjatën rreth 28 orë.