Arrihet marrëveshje e re në Bruksel, hapen pikëkalimet e reja kufitare

Në Bruksel është arritur marrëveshje për hapjen edhe të disa pikëkalimeve të reja kufitare, të cilat do tu mundësojnë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë si transit përmes Serbisë në vende tjera. Këtë e ka konfirmuar zyra për komunikim e Edita Tahirit.

Lajme

14/11/2014 17:07

Që nga 15 tetori qytetarët e Kosovës do kenë të hapura edhe disa pikëkalime të reja kufitare, përmes të cilave do të mund të kalojnë transit nëpër Serbi drejt vendeve tjera.

Kjo falë një marrëveshje të arritur sot në Bruksel, ka njoftuar zyra për komunikim e kryenegociatorës Edita Tahiri.

“Me datën 15 nëntor 2014 do të hyjë në fuqi marrëveshja për hapjen e pikëkalimeve të reja kufitare, të cilat mund të shfrytëzohen nga qytetarët e Kosovës dhe diaspora për kalim transiti nëpër Serbi për në vendet e treta”.

“Këto pikëkalime kufitare janë: pika kufitare në Sid në mes të Serbisë dhe Kroacisë, pika kufitare Kelebija në mes të Serbisë dhe Hungarisë, pika kufitare Gradina në mes të Serbisë dhe Bullgarisë dhe pika kufitare Presheva në mes të Serbisë dhe Maqedonisë si dhe Aeroporti i Nishit”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu bëhet e ditur se për këtë marrëveshje kabineti i zonjës Tahiri i ka njoftuar zyrtarisht edhe të gjitha ministritë relevante, në mënyrë që kjo marrëveshje të shfrytëzohet sa më mirë nga qytetarët e Kosovës dhe diaspora.