Arrihet marrëveshja për ndarje të pushtetit në Sudanin Jugor

Ish-lideri i rebelëve të Sudanit Jugor, Riek Machar, është betuar si nënpresident i parë i këtij vendi, duke e shënuar arritjen e marrëveshjes së paqes, që u arrit me qëllim të përfundimit të luftës civile 6-vjeçare.

Bota

22/02/2020 15:27

Në ceremoninë e betimit të ish-liderit të rebelëve mori pjesë edhe presidenti i Sudanit Jugor, Salva Kiir, ndërsa ngjarja u mbajt në kryeqytetin Juba.

Shpresohet se qeveria e re e unitetit do t’i japë fund konfliktit në të cilin janë vrarë 400 mijë njerëz e janë shpërngulur miliona të tjerë, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Sipas marrëveshjes së arritur, kabineti i tanishëm qeveritar do të shpërndahet në mënyrë që të krijohet hapësirë për më shumë anëtarë të opozitës në qeverinë e re.

Reporterët thonë se disa çështje kanë mbetur jashtë marrëveshjes, përfshirë integrimin e luftëtarëve rebelë, por palët janë pajtuar që çështjet e pazgjidhura t’i diskutojnë më vonë.

Marrëveshja u arrit disa orë pasi Kombet e Bashkuara i akuzuan të dyja palët për shkaktim të qëllimshëm të vdekjeve të civilëve nga uria gjatë luftës së tyre për pushtet.