Arrihet marrëveshja për Libinë, publikohen gjashtë pikat thelbësore

21:00 | 19 Janar 2020

Udhëheqësit botërorë arritën një marrëveshje përfundimtare në konferencën ndërkombëtare mbi Libinë.

Projekt-dokumenti parashikon që procesi i zgjidhjes së krizës në Libi do të ndahet në gjashtë pjesë: armëpushimi, embargoja e armëve, procesi politik, reforma në sektorin e sigurisë, reforma ekonomike dhe financiare, respektimi i ligjit ndërkombëtar humanitar dhe të drejtat e njeriut.

Drafti kërkon gjithashtu mos ndërhyrje në konfliktin e armatosur në Libi dhe i bën thirrje Këshillit të Sigurimit të KB të vendosë sanksione ndaj vendeve që shkelin embargon e armëve.

Sipas agjencisë ruse TASS, pas miratimit të tekstit, do të ngrihet një Komitet i veçantë ndërkombëtar i monitorimit për të mbikëqyrur zbatimin e Samitit të Berlinit.

Duke folur në një konferencë shtypi, kancelarja gjermane Angela Merkel tha se vetëm një zgjidhje politike do të funksiononte në Libi dhe se angazhimi i mëtejshëm ushtarak vetëm do të zgjasë vuajtjet e popullit libian.

Merkel tha se diskutimi në Berlin “nuk do të zgjidhë të gjitha problemet e Libisë”, duke shtuar se bisedimet e sotme synojnë të japin impuls të ri në procesin e paqes.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres u tha gazetarëve se të gjitha palët në marrëveshje janë të angazhuara për të mbështetur armëpushimin, ndërsa kryeministri italian Giuseppe Conte tha se vendi i tij ishte i gatshëm të luante një rol kryesor në mbikëqyrjen e armëpushimit të rënë dakord.

Libia është ndarë në administratat rivale që nga rrëzimi dhe vrasja e Muamer al-Gaddafi në vitin 2011, secila me mbështetje nga shtete të ndryshme.

Qeveria zyrtare në Tripoli përkrahet nga Turqia, ndërsa forcat e Khalifa Haftar, fortesa e së cilës në lindje të Bengazi, mbështeten nga Egjipti, Rusia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, transmeton KosovaPress.