Arrestohet personi që qëlloi 11 herë me thikë taksistin ferizajas

Ditë më parë një taksist në Ferizaj u qëllua 11 herë me thikë nga pasagjeri i tij. Taksisti shpëtoi megjithëse mori plagë të rënda. Policia pas një faze hetimore ka arritur të arrestojë sulmuesin.  

Lajme

05/09/2014 20:25

Policia e Ferizajt ka prangosur personin i cili para një jave sulmoi fizikisht vozitësin e një taksie duke i shkaktuar lëndime në trupore nga një mjet i mprehtë.

Zëdhënësi rajonal i policisë, togeri Agim Gashi, ka thënë se pas grumbullimit të informatave dhe hetimeve intensive, hetuesit nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Ferizaj kanë identifikuar dhe ka arrestuar personin në fjalë nën dyshimin se ka kryer veprën penale e cilësuar si ”lëndim i rëndë trupor’’.

“Ngjarja ka ndodhur më 29 gusht në orët e hershme të mëngjesit në rrugën “Brahim Ademi”, ku sipas viktimës M.L. 70 vjeç, një person, pasagjer i taksisë e ka sulmuar dhe goditur disa herë në pjesë të ndryshme të trupit me mjet të mprehtë”, ka thënë Gashi.

Bëhet e ditur se gjatë intervistimit, i dyshuari ka pranuar se më datën e lartëcekur në rrugën “Vëllezërit Gërvalla’’ ka hipur në një taksi, ku sipas tij, pas një konflikti verbal me vozitësin, ka nxjerrë thikën dhe e ka goditur viktimën disa herë.

Mësohet se Prokuroria Themelore ndaj të dyshuarit ka caktuar masën e ndalimit për 48 orë.