Arrestohet një person për vrasje të pasluftës

Një person është arrestuar si i dyshuar për një vrasje të pasluftës.

Lajme

28/01/2020 14:39

Arrestimi i tij ka ndodhur sot në orën 10:00 në komunën e Klinës, me autorizim të prokurorisë së shtetit, shkruan lajmi.net.

Vrasja e dyshuar kishte ndodhur në vitin 1999, pas luftës.

Komunikata e plotë e Policisë:

Prokuroria Themelore e Pejës dhe Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë njoftojnë opinionin publik se më datën 28 janar 2020, rreth orës 10:00, në komunën e Klinës, me autorizim të prokurorit të shtetit, është arrestuar nga hetuesit rajonalë në mbështetje të Njësitit për Reagim të Shpejtë një person i dyshuar për një rast të vrasjes në vitin 1999 (pas luftës), nga Neni 30, al.1, të ish-Ligjit Penal të Kosovës.

I dyshuari pas arrestimit është intervistuar nga hetuesit rajonalë dhe ai me aktvendim të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë.

Sektori Rajonal i Hetimeve i Policisë së Kosovës në Pejë për të dyshuarin ka parashtruar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Pejë, kurse prokurori i shtetit për të dyshuarin ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore të Pejës, Departamenti për Krime të Rënda.

Ky rast në Prokurorinë Themelore të Pejës ka qenë në rastet e shenjëstruara të vrasjeve të pasluftës të ndodhura në kompetencën territoriale të këtij institucioni. /Lajmi.net/