Arrestohet një person i kërkuar

Policia e Kosovës në Pejë ka ndaluar për 48 për një person të kërkuar nga gjykata për vuajtje të dënimit prej dy vjetësh.

Lajme

11/11/2019 16:00

I dyshuari F.R. (2001) ishte i kërkuar nga Gjykata Themelore në Pejë për veprën penale vjedhje e rëndë dhe ai është kapur nga policia gjatë një kontrolli të veturës së tij mbrëmë, në të cilën ishin edhe katër persona të tjerë.

Gjatë bastisjes së personit të dyshuar është gjetur një sasi e substancës së dyshuar narkotike.

Personi i dyshuar është arrestuar, substanca e dyshuar është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit.

Personi i dyshuar është intervistuar për rastin ‘posedim i paautorizuar i substancave narkotike, substancave psikotrope dhe analoge’, me ç’rast është iniciuar rast.

Hetuesit policorë, gjatë intervistimit, dhe pas ekzaminimit daktiloskopik të gjurmëve latente të gishtërinjve kanë arritur të zbulojnë edhe tri vepra penale të vjedhjes së rëndë, që i dyshuari i kishte kryer gjatë këtij muaji, me ç’ rast kishte thyer pesë shtëpi, tri në Pejë dhe dy në një fshat afër qytetit.

Pas intervistimit me urdhër të Prokurorit të Shtetit, personit të dyshuar i është caktuar ndalimi policor për 48 orë.

Pas përfundimit të procedurave hetimore ndaj të dyshuarit, i njëjti do të dërgohet në vuajtje të dënimit sipas urdhëresës së gjykatës. /Lajmi.net/