Arrestohet një i dyshuar për ‘deklarim të rrejshëm’

Policia e Kosovës ka arrestuar një person pasi i njëjti ka bërë një deklarim të rrejshëm me arsyetimin se dy persona e kishin kërcënuar atë duke ia marr një shumë të hollash në vlerë prej 65 eurosh.

Lajme

27/10/2015 15:01

“Hetuesit rajonalë në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicë, muaj më parë kishin nisur hetimet për rastin ‘grabitje’ të raportuar nga viktima/tashmë i dyshuari i cili kishte deklaruar se në orët e mesnatës së datës 27 prill 2015 derisa po punonte taksi nga Skenderaj kishte marrë dy persona për t’i dërguar në Vushtrri. Me të arritur në fshatin Polac, personat e kishin detyruar që të ndalonte veturën, ku nën kërcënimin e armës ia kishin marrë një shumë të hollash në vlerë 65 euro, kishte deklaruar viktima”, thuhet në njoftim të Policisë, raporton lajmi.net.

Sipas Policisë, pas procedimit me vendin e ngjarjes me autorizim te prokurorit hetuesit kishin nisur hetimet drejt zbardhjes së rastit, ku hetuesit gjatë hetimeve të vazhdueshme për rastin, si dhe mbi bazën e deklarimit të viktimës për rrethanat e rastit të raportuar si ‘grabitje’ kanë arritur që të zbulojnë se nuk ekziston asnjë provë që në kohën e raportimit të veprës të ketë ndodhur ‘grabitja’

“Kjo ka rezultuar që viktima/tashmë i dyshuari L. V. 38 vjeçar, të ketë deklaruar rrejshëm duke inskenuar rastin mbi justifikimin e shumës së të hollave të cilat i kishte humbur në lojërat e fatit disa orë para kohës së raportuar për grabitje”, thuhet më tej në njoftim.

Provat e siguruara kanë bërë që vepra penale të tjetërsohet nga rasti ‘grabitje’ në vepër penale ‘deklarim i rrejshëm’ ndaj ankuesit tashmë në cilësi të të dyshuarit, i cili pas intervistës është liruar për procedurë të rregullt./lajmi.net.