Arrestohet lideri i kartelit meksikan “Los Rojos”
Policia meksikane ka bërë të ditur se ka arrestuar Leonor Nava Romero, kreun e bandës kryesore kriminale të shtetit jugor të Guerrero-s.

Bota
Bosi i kartelit Los Rojos – Të kuqtë-, Leonor Nava Romero, është arrestuar të premten.
Ai dyshohet se është partner me njërin prej kriminelëve më të kërkuar të Meksikës, Hector Beltran Leyva. Romero dyshohet për vrasje dhe kidnapime.
Policia federale njoftoi se Leonor Nava Romero, i cili njihet gjithashtu edhe si The Claw ose The Tiger, gjatë kohës kur u arrestua kishte me vete municion dhe një pushkë.
Hetuesit thanë se Nava Romero është i përfshirë në operacione të ndryshme të vjedhjeve brenda SHBA-ve.
“Ai gjithashtu dyshohet se ka qenë pjesëmarrës në vrasjen e 8 zyrtarëve të Mbrojtjes Kombëtare në vitin 2008”, tha komisionari i Sigurisë Kombëtare, Monte Ajeandro Rubido.
Që prej se mori detyrën në vitin 2012, Presidenti Enrique Pena Nieto tha se ka për të pasur një qasje ndryshe nga paraardhësi i tij, Felipe Calderon sa i përket mbrojtjes dhe “luftës kundër drogës”. Kritikët thonë se në kohën e Calderon-it, niveli i dhunës u rrit në gjithë Meksikën.
Në muajin shkurt, autoritetet në Meksikë kanë arrestuar bosin e Kartelit Sinaloa, Joaquin Guzman, i cili njihet me emrat El Chapo ose Shorty.
Vitin e kaluar u arrestua Miguel Angel Trevino, lideri i kartelit më të madh në vend “Zetas”.