Arrestohet aktivisti i VV-së Kushtrim Avdimetaj

Policia e Kosovës ka arrestuar sot aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje, Kushtrim Avdimetaj.

Lajme

14/03/2016 23:05

Këtë e ka bërë të ditur VV-ja në një postim në facebook. Sipas kësaj partie, Avdimetaj është arrestuar nga policë të veshur me rroba civile, pa i treguar atij arsyet.

“Ky aksion i Policisë është në vazhdën e përndjekjeve ndaj aktivistëve të Lëvizjes. Arrestimet e tilla kanë për qëllim dobësimin e kundërshtimit tonë ndaj marrëvëshjeve të dëmshme për Republikën e Kosovës dhe ndaj qeverisë antikushtetuese”, thuhet në reagim.

Vetëvendosje konsideron se “shteti diktatorial i treshes Thaçi-Veseli-Mustafa po vazhdon të shtypë opozitën, sidomos Lëvizjen VETËVENDOSJE! Shkeljet e lirive dhe të drejtave politike të qytetarëve janë një krim që nuk kemi për t’ia falur kurrë këtij pushteti kriminal. Do të vijë dita e demokracisë në Kosovë, dhe ata do të përballen me drejtësinë. Do të japin llogari për krimet e tyre”.

Vetëvendosje i bënë thirrje Policisë së Kosovës që të mos vazhdojë në të njëjtën linjë, ngase ne nuk do të ndalemi deri në realizimin e kërkesave tona, që në të njëjtën kohë janë kërkesa të shumicës dërmuese të qytetarëve të Kosovës. /lajmi.net