Arrestohet 24 vjeçari në Sofje, për shkak të komenteve në Facebook lidhur me tragjedinë në Bullgari

12:43 | 25 Nentor 2021

Një 24-vjeçar është arrestuar në Sofje të Bullgarisë nga oficerët e Drejtorisë së Përgjithshme për Luftën kundër Krimit të Organizuar.

Sipas të dhënave, ai kishte postuar në Facebook komente në lidhje me aksidentin tragjik të autobusit me pasagjerë në autostradën e Strumë.

Ministria e Punëve të Brendshme në Bullgari njoftoi se komentet e të arrestuarit ishin në papajtueshmëri me normat morale dhe etike.

Ai do të hetohet për përhapje të urrejtjes në baza kombëtare. Për vepra të tilla, BTV shkruan se ligji atje parashikon burgim nga një deri në katër vjet dhe gjobë nga 2.5 mijë deri në pesë mijë euro.

Sipas informacioneve zyrtare, të cilat u dhanë sot nga ata që po e kryesojnë hetimin për tragjedinë në Bullgari, 44 persona, shumica shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, kanë gjetur vdekjen në rrethana tragjike në orët e para të mëngjesit të së martës, pasi një autobus është përfshirë nga flakët në një autostradë në perëndim të Bullgarisë.

Në mesin e viktimave të aksidentit kishte edhe fëmijë.

Shtatë të mbijetuar po trajtohen ndërkohë në spitalin e kryeqytetit bullgar, Sofje, si pasojë e djegieve. Disa nga ta janë operuar, dhe sipas mjekëve, asnjëri nga ta nuk e ka jetën në rrezik.

Në autobus besohet se kanë qenë mbi 50 persona.