Arrestohen tetë persona për trafikim me njerëz dhe detyrim prostitucioni

Policia e Kosovës, gjatë realizimit të dy operacioneve ka arrestuar tetë persona si të dyshuar për trafikim me njerëz dhe detyrim prostitucioni, ku me këtë rast janë identifikuar edhe dy viktima të këtij trafikimi.

Lajme

10/09/2015 16:51

Në operacionin e parë policor të realizuar në rajonin e Prizrenit me datë  09/09/2015, pas një pune hetimore-operacionale janë arrestuar tre (3) persona të dyshuar për të cilët dyshohet se të njëjtit kanë kryer veprën penale “trafikimit me njerëz”, raporton lajmi.net.

Personat e arrestuar janë: S. K i  lindur më 1963, mashkull kosovar,  R. K  lindur më  1957 mashkull kosovar, SH. B   lindur më 1970, femër kosovare, ndërsa viktimat e identifikuara nga policia janë shtetase të Kosovës (femra/të mitura) të cilat  janë duke u trajtuar sipas procedurave standarde  për ndihmë dhe mbrojtje të viktimave.

Gjatë këtij operacioni si prova materiale janë sekuestruar: Një Veturë, një armë (revole) me gaz, një jelekë antiplumb, një kompjuter, një ZD memorie e kamerës, 1189 euro , dy pasaporta, libra dhe fatura të ndryshme.

Ndërsa sa i përket operacionit të dytë, me datë 09.09.2015 në rajonin e Prishtinës, pas hetimeve paraprake janë arrestuar pesë (5) persona të dyshuar me dyshimin e bazuar se kanë kryer veprën penale të mundësimit ose detyrimit në prostitucion dhe marrje me prostitucion.

Gjatë këtij operacioni janë arrestuar këta persona: N. S  lindur më 1976, femër kosovare, A. F lindur më 1968, mashkull kosovar, A. S lindur më 1968, femër kosovare, M. M lindur më 1961, mashkull kosovar, A. B lindur më 1994, femër kosovare.

Sipas policisë, të gjitha veprimet policore janë kryer me autorizimin e Prokurorëve përkatës dhe në të dy rastet ndaj pesë (5) personave tanimë të arrestuar është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, për procedurat tjera hetimore, kurse tre (3) persona  janë liruar në procedurë të rregullt./lajmi.net