Arrestohen plaçkitësit e parave në Vetërnik

Policia ka arrestuar dje dy persona të cilët dyshohet të jenë të përfshirë në një rast të grabitjes, që ka ndodhur më 30 maj në lagjen Vetërnik në Prishtinë.

Lajme

03/06/2015 16:17

Plaçkitja kishte ndodhur në daljen e një parkingu të një qendre afariste. I Dyshuari ka përdorur sprej, dhe më pastaj u grabit një sasi e konsiderueshme e parave të gatshme.

Menjëherë pas raportimit të rastit, njësitet policore kanë ndërmarrë një varg veprimesh hetimore dhe operative të cilat kanë rezultuar me identifikimin dhe arrestimin e dy personave të dyshuar: F. A, 30 vjeç, dhe S.I. 26 vjeç.

Me autorizimin e prokurorit policia ka realizuar disa bastisje në disa lokacione, në të cilët është gjetur dhe konfiskuar një sasi e konsideruar e parave të gatshme, të njëjtat dyshohen të jenë grabitur në rastin në fjalë.

Në veturën e njërit nga të dyshuarit gjatë kontrollit është gjetur dhe konfiskuar një shumë prej 9 mijë e 910 euro që dyshohet të jetë një pjesë e shumës e të hollave të grabitura.

Në vazhdimësi të hetimeve i arrestuari i dytë gjatë intervistës ka treguar për paratë e grabitura dhe vendin ku i ka të fshehura. Pas kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur dhe konfiskuar 16 mijë e 700 euro që është pjesë e shumës tjetër e të hollave të grabitura. Me urdhër të prokurorit të dyshuarit dërgohen në mbajtje.