Arrestohen personat që rrëmbyen një grua në Fushë Kosovë

Gjatë ditës së sotme, dy persona e kanë rrëmbyer një grua në Fushë Kosovë.

Lajme

24/06/2019 17:47

Zëdhënësja e Policisë Rajonale në Prishtinë, Flora Ahmeti ka thënë se këta persona janë identifikuar dhe aktualisht ndodhen në stacionin policor.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë, sot ka pranuar informatën se në Fushë Kosovë, dy persona të dyshuar kanë futur një grua me forcë në një veturë dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes. Ka qenë aksioni i shpejtë i policisë si dhe bashkëpunimi ngushtë me qytetarët dhe mediat, reagime këto që kanë rezultuar me identifikimin e shpejtë të personave të përfshirë në këtë ngjarje, të cilët aktualisht ndodhen në stacionin policor ku po intervistohen”, ka thënë Ahmeti për lajmi.net.

Tutje, Ahmeti ka shtuar se sipas hetimeve dyshohet se rasti ka të bëj me një mosmarrëveshje familjare.

“Hetuesit policor në koordinim me institucionet kompetente janë duke punuar me qëllim të sqarimit të çdo rrethane që lidhet me këtë ngjarje e cila sipas hetimeve të zhvilluara deri tani dyshohet të jetë një mosmarrëveshje familjare”. /Lajmi.net/