Arrestohen personat që plaçkitën 200 mijë euro ari në hotelin e Pacollit

Para rreth dy muaj e gjysmë, persona të maskuar dhe të armatosur kishin plaçkitur hotelin “Swiss Diamond”, duke marrë nga aty ari në vlerë rreth 200 mijë euro. Policia pas një hetimi të gjatë ka arritur të identifikojë dhe arrestojë të dyshuarit. 

Lajme

09/08/2014 21:17

Policia e Kosovës ka arritur të që t’i identifikojë edhe dy të dyshuar tjerë tek të cilët dyshohej se janë gjësendet e grabitura, në një vjedhje të datës 28 maj të këtij viti, kur katër persona të maskuar dhe të armatosur me pistoletë dhe sëpata kishin grabitur stoli ari me vlerë rreth 200 mijë euro në hotelin “Swiss Diamond”, që është pronë e zëvendëskryeministrit në detyrë, Behgjet Pacolli. 

Dy të dyshuarit që Policia përmes një njoftimi thotë se i ka identifikuar sot janë, Xh. Q. (1973) nga Prishtina dhe M. B. (1982) po ashtu nga Prishtina.

“Njësitet policore kanë arritur t’i gjejnë gjësendet tek i dyshuari Xh. Q., i cili në momentin e arrestimit e ka pranuar se gjësendet e grabitur gjenden në shtëpinë e tij të cilat edhe janë konfiskuar”, thuhet në njoftim, transmeton koha.net. “Me qëllim të identifikimit të këtyre gjësendeve njësitet relevante policore kanë ftuar personin përgjegjës të hotelit, i cili i ka identifikuar gjësendet e grabitura-stoli ari gjithsej, 32 copë me vlere rreth 165 mijë e 090 euro, ndërsa pas verifikimit rezulton se mungojnë 8 sende tjera me vlerë mbi 30 mijë euro”, thuhet më tej aty. 

Veprimet hetimore janë kryer me autorizimin e Prokurorit Kompetent për këtë rast , me autorizimin e të cilit është lëshuar aktvendimin për ndalimin e dy të dyshuarve të cilët dërgohen në qendrën e mbajtjes, si dhe gjësendet e grabitura janë konfiskuar. 

Deri me tani për ketë rast janë arrestuar 6 persona, kurse një ende gjendet ne arrati. 

Të dyshuarit këtë vepër penale e kishin kryer në prezencë të punëtorëve të sigurimit dhe pjesëtarëve tjerë të stafit të hoteli dhe pas kryerjes se veprës janë larguar në drejtim të panjohur, përcjell koha.net.

Pas hetimeve intensive të realizuara nga Njësia e Hetimeve Rajonale – Prishtinë, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë- Departamenti i Krimeve të Rënda ishte arritur që të identifikohen të dyshuarit kryesor të involvuar në këtë rast si në vijim: H. T. (1979) nga Podujeva, Sh. L. (1988) nga Prishtina, I. Q. (1986) nga Prishtina, F. B. (1985) nga Prishtina dhe Sh. K. (1975) nga Prishtina.

Disa nga këta të arrestuar, dyshohet se janë të involvuar edhe në raste tjera të Grabitjeve ku zakonisht caqe kanë qenë Bankat dhe objekte tjera me vlerë të madhe.