Arrestohen katër hajna të xhepave

Katër hajna të xhepave janë arrestuar në Malishevë, pasi janë kapur në flagrancë derisa ia kishin vjedhur kuletën një pacienti në Shtëpinë e Shëndetit. Ata nuk kanë dashur të dorëzohen, ndërsa Policia i ka kapur në afërsi të fshatit Gurbardh. Ja emrat e tyre:

Lajme

11/03/2014 14:29

Policia e Kosovës ka vënë në pranga katër hajna të xhepave në Malishevë.

Arrestimi erdhi pas një hetimi disamujor nga ana e hetuesve policorë dhe pasi të njëjtit janë zënë në flagrancë nga ana e Policisë.

“Sipas planit operativ, dy zyrtarë policorë kanë pasur për detyrë që në vazhdimësi, për më tepër se dy javë rresht të “kujdestarojnë” nëpër korridore të Shtëpisë së  Shëndetit në Malishevë, në pritje të vjedhësve që tanimë ishin identifikuar nga kamerat e sigurisë sepse të njëjtit kohë pas kohe kishin kryer vjedhje të portofolave të qytetarëve që prisnin në radhë për dokumente mjekësore”.

“Rreth orës 08:40, grupi hetimor që po vëzhgonte nga kati i dytë kishte vërejtur grupin kriminal i cili ishte nisur për në aksion dhe për pak minuta, të njëjtit kishin arritur të vjedhin portofolin e një qytetari i cili priste në rend për plotësimin e dokumenteve”.

“Ndërkohë grupi hetimor kishte kërkuar ndihmë nga kolegët në uniformë të cilët kanë qenë fare pranë vendit të ngjarjes. Pas tentimit të policisë për t’i ndalur të dyshuarit, që të katërtit kanë ikur me shpejtësi në drejtim të veturës së tyre të llojit “Opell vectra”, me targa 01 e cila kishte qenë e parkuar në oborrin e Qendrës për punë Sociale e më pas, vrullshëm janë nisur në drejtim të Lagjes Mirditë e fshatit Burim e më tej në drejtim të fshatit Gurbardh ku ua ka prerë rrugën një patrullë tjetër. Edhe pas ndaljes, të dyshuarit nuk kanë pranuar të legjitimohen  dhe as arrestimin  i cili është kryer por me lëndime nga të dyja palët”.

Gjatë bastisjes së automjetit policia ka gjetur dy bishta të sëpatës një dru që dyshohet se është përgatitur për t’u përdorur për sulm ose mbrojtje, një gyp metalik i njëjtë me drurin, një brisk i madh dhe disa kapela të ndryshme.

“Pas intervistës njëri nga të dyshuarit i kishte treguar policisë se ku e kishte hedhur kuletën që e kishte vjedhur pak më parë i dyshuari. Kuleta dhe provat tjera materiale do t’i kalojnë prokurorisë për procedurë të më tejme gjyqësore.

“Të arrestuar janë; Skënder Berisha i vitlindjes 1967 Prishtinë, Januz Asllani-më parë Demolli 1956 Ferizaj; Fadil Arifi-më parë Borovci, 1962 Prishtinë dhe Florin Gashi 1965 Prishtinë. Ndërkaq sot, Gjykata e Malishevës, të dyshuarve ua ka vazhduar masën e arrestit për 30 ditë”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës të rajonit të Prizrenit.