Arrestohen dy algjerianë në Gjermani të dyshuar për lidhje me ISIS

​Policia Gjermane ka arrestuar dy algjerianë të cilët dyshohet se kanë lidhje me Shtetin Islamik, ndërkohë që ka shpallur në kërkim dy persona të tjerë të së njëjtës origjinë.

Bota

04/02/2016 19:09

Sipas burimeve zyrtare, këta persona po planifikonin që të kryenin sulme terroriste dhe ishin një rrezik për sigurinë kombëtare.

Autoritetet kanë vënë në pranga edhe një grua, por ende nuk dihet arsyeja e arrestimit të saj.

Në operacionin e policisë morën pjesë 450 oficerë, të cilët kontrolluan në të gjithë Berlinin dhe në qytetet për-rreth. Ata ende nuk kanë dhënë shumë detaje mbi ngjarjen por mësohet se një prej të arrestuarve ishte i njohur edhe për autoritetet algjeriane për lidhjet e tij me Shtetin Islamik.

Dyshohet gjithashtu se ky person është trajnuar edhe nga luftëtarët e ISIS në Siri. Ndërkohë, shtetasi tjetër ndër të tjera akuzohet edhe për falsifikim dokumentesh.

Arrestimi i të dyshuarve është bërë në një qendër ku strehoheshin emigrantë. Një gjë e tillë ka shkaktuar sërish pakënaqësi pasi shumë qytetarë por edhe politikanë janë shprehur se terroristët po shfrytëzojnë krizën e refugjatëve për të mbërritur në Evropë.