Arrestohen 4 persona në Shtërpcë, konfiskohen uniforma të policisë serbe

Policia e Kosovës ka arrestuar 4 persona dhe ka konfiskuar dy palë uniforma të policisë së Serbisë në komunën e Shtërpcës.

Lajme

08/05/2015 20:16

Në këtë aksion policia ka konfiskuar edhe dy bajoneta, dy thika, 80 fishekë dhe dy parë dylbi.

Plani operativ i koduar “Festa” është realizuar në bazë të dyshimit të bazuar se të njëjtit më 1 maj, afër rrugës Brezovicë-Prevallë, kanë shtënë me armë në ajër si dhe kanë kanosur qytetarët e rastit duke u drejtuar armën, të cilët me automjetet e tyre ishin duke qarkulluar përgjatë kësaj rruge.

Pas intervistimit, në konsultim me prokurorin e Shtetit, të dyshuarit lirohen dhe lënda procedohet në gjykatë.

Ky plan operativ është zhvilluar në fshatin Jazhincë dhe në magjistralen Brezovicë-Prevallë, komuna e Shtërpcës, ku me urdhër të gjykatësit të Gjykatës Themelore të Ferizajt janë kontrolluar tri shtëpi dhe objektet përcjellëse të të dyshuarve.