Arrestohen 4 hajna në Mitrovicë

Katër shqiptar janë arrestuar në Mitrovicë, si të dyshuar për vjedhje të rënda të ndodhura në javët e fundit në tri lokalcione të ndryshme në këtë qytet.

Lajme

31/10/2013 16:35

Policia e Kosovës për rajonin e Mitrovicës ka arrestuar sot katër persona, të nacionalitetit shqiptar, të dyshuar për ‘vjedhje të rënda’.

Policia njofton se të arrestuarit janë: R. N. 23 vjeçar; S. H. 19 vjeçar; E. A. 23 vjeçar dhe R. Z.23 vjeçar, shqiptar, të gjithë banorë të Mitrovicës.

“Me datat 15, 17, 22, 24 tetor 2013 ishin raportuar katër raste të vjedhjeve të rënda në tri lokacione të ndryshme në Mitrovicë. Hetuesit policorë të stacionit ‘jugu’ në Mitrovicë pas një pune operative hetimore të zhvilluar, bazuar në dyshime të arsyeshme, provave materiale të gjetura me datën 30.10.2013, kanë arritur t’i identifikojnë dhe t’i arrestojnë katër persona, mbi dyshimin se kanë kryer vepra penale të ‘vjedhjes’ për datat e lartshënuara” .

“Katër të dyshuarit pas procedurave intervistuese kanë pranuar veprat në tërësi dhe një pjesë e konsiderueshme e gjërave të vjedhura të gjetura tek të dyshuarit u janë kthyer pronarëve”.

“Ecuria dhe të gjitha veprimet policore ishin të udhëhequra nga prokurori i rastit dhe me urdhër të të njëjtit ndaj katër të dyshuarve për ‘vjedhje të rënda’ është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë”.