Arrestimi i të dyshuarve kosovarë për spiunazh, por çfarë parasheh Kodi Penal i Kosovës për ta?
Dy persona janë arrestuar dje nga autoritetet e sigurisë në vend, nën dyshimin për spiunazh. Pas hetimeve disa mujore, Policia e Kosovës bashkë me Prokurorinë Speciale të vendit kanë realizuar disa bastisje në dy lokacione të ndryshme. Por këtij aksioni i ka paraprirë hetimi i gjerë që Agjencia e Inteligjencës së Kosovës kishte bërë vazhdimisht…

Lajme
Dy persona janë arrestuar dje nga autoritetet e sigurisë në vend, nën dyshimin për spiunazh.
Pas hetimeve disa mujore, Policia e Kosovës bashkë me Prokurorinë Speciale të vendit kanë realizuar disa bastisje në dy lokacione të ndryshme.
Por këtij aksioni i ka paraprirë hetimi i gjerë që Agjencia e Inteligjencës së Kosovës kishte bërë vazhdimisht ndaj dy të dyshuarve dhe veprave të tyre.
Pas realizimit të aksionit në fjalë, Prokuroria Speciale ka konfirmuar se dy nga të arrestuarit për spiunazh janë kosovarë.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e njofton opinionin publik se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në, ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona me nënshtetësi Kosovare, të dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘spiunazhi’, nga neni 124 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu nga kjo Prokurori është theksuar se ndaj të dyshuarve ka nxjerrë aktvendim për ndalimin prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtëve do të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.
Të arrestuarit në këtë rast janë: B.SH dhe M.Q.
Madje njeri nga të arrestuarit kishte qenë edhe zyrtar në Doganën e Kosovës, por i njëjti ishte suspenduar nga puna 20 vite më parë.
Në një reagim të bërë dje pas ngjarjes nga Dogana e Kosovës është theksuar se B.SH i dyshuar në këtë rast ishte pushuar nga pozita e tij në fillim të vitit 2004.
Sipas të njëjtëve, deri tek shkarkimi i tij kishte ardhur për shkak të shkeljeve të Kodit të Mirësjelljes së Doganës së Kosovës, në lidhje me komunikimet e paautorizuara me mjetet e informimit masiv.
“Në lidhje me arrestimin e dy personave sot në Ferizaj nën dyshimin për aktivitete spiunazhi, Dogana e Kosovës sqaron opinionin se personi i cituar me inicialet B.Sh. është pushuar nga pozita e tij në Doganën e Kosovës 20 vite më parë, konkretisht në fillim të vitit 2004. Shkarkimi i tij ka ardhur për shkak të shkeljeve të Kodit të Mirësjelljes së Doganës së Kosovës, lidhur me komunikimet e paautorizuara me mjetet e informimit masiv. Që nga shkarkimi i tij, personi në fjalë nuk ka pasur asnjë lidhje me Doganën e Kosovës”, u tha në njoftim.
Gjithashtu është theksuar se “Dogana e Kosovës përgëzon autoritetet e Kosovës për zbatimin e ligjit për përpjekjet e tyre në adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me sigurinë. Ne punojmë ngushtë me të gjitha institucionet e sigurisë për të mbështetur sigurinë kombëtare, në përputhje me misionin tonë. Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në respektimin e standardeve më të larta të integritetit dhe transparencës në radhët tona”.
I dyshuari në këtë rast B.SH ishte zyrtar doganor gjatë viteve 90-99, ndërsa pas luftës ai kishte vazhduar të ushtrojë funksionin e doganierit gjatë periudhës së UNMIK-ut në Kosovë.
E dy të arrestuarit në këtë rast dyshohet se për vite me radhë kanë kryer veprën e spiunazhit. Ata theksohet se kanë spiunuar në vazhdimësi tek Shërbimi Sekret serb, BIA.
Ndërsa në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, vepra penale e spiunazhit hyn në kuadër të veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Ai renditet në nenin 124 të këtij Kodi dhe nënkupton disa situata ku ndër to është; kur sekreti shtetëror i komunikohet, dorëzohet, apo i bëhet i arritshëm shtetit të huaj, organizatës së huaj apo personit që u shërben atyre.
Sipas kësaj, dënueshmëria minimale është 5 vjet burg, kurse maksimale është 12 vjet.
Ky nen në paragrafët e tij parasheh edhe situata të tjera dhe dënueshmëri të ndryshme:
Kushdo që për shtetin apo organizatën e huaj krijon shërbimin informativ në Republikën e Kosovës apo drejton shërbimin e tillë, dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim;
Kushdo që hyn në shërbimin informativ të huaj, mbledh të dhëna për të apo në ndonjë mënyrë tjetër e ndihmon punën e shërbimit të tillë, dënohet me jo më pak se 5 vjet burgim;
Kushdo që mbledh të dhëna apo dokumente të klasifikuara me qëllim që t’ia komunikojë dhe dorëzojë shtetit të huaj, organizatës së huaj apo personit që u shërben atyre, dënohet me burgim prej 3 deri në 10 vjet.
Nëse këto vepra penale kryhen dhe shkaktojnë pasoja të rënda për sigurinë ose fuqinë ekonomike apo ushtarake të shtetit, kryesi dënohet me burgim jo më pak se 10 vjet.
Kurse, nëse këto vepra penale kryhen gjatë kohës së luftës, rrezikut të pashmangshëm për luftë, konfliktit të armatosur apo zbulimi i sekretit shtetëror ka të bëjë me sigurinë e Republikës së Kosovës, kryesi dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.
Sekreti shtetëror, sipas Kodit Penal, për qëllime të këtij kapitulli që trajton këto vepra, nënkupton të dhënat apo dokumentet ushtarake, ekonomike apo zyrtare të cilat janë shpallur si informata të klasifikuara me ligj apo me dispozita ose vendime tjera të organit kompetent të nxjerra në pajtim me ligjin.
Kosova e ka Ligjin për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë qëllim i të cilit është “themelimi i një sistemi unik për klasifikimin dhe ruajtjen e informacioneve që kanë të bëjnë me interesat e sigurisë së Kosovës si dhe për verifikimin e sigurisë së personave që kanë qasje në këto informacione”.
Duhet theksuar se organet e hetuesisë dhe të drejtësisë në vend tashmë janë duke punuar për të nxjerrë në pah se çfarë saktësisht kishte ndodhur me spiunazhet e vazhdueshme të të dyshuarve në këtë rast dhe se çfarë nxorën në pah ata nga siguria në Kosovë tek organizatat serbe./Lajmi.net/