Arrestimeve në veri u shpëtuan njerëz të afërt me Radojiçiqin, prokuroria jep detaje të reja
Prokurori Special, Sylë Hoxha ka dhënë detaje të reja lidhur me operacionin e sotëm në veri të Kosovës ku u arrestuan 19 zyrtarë policorë që dyshohet se ndërlidhen me krimin dhe kontrabandën
Lajme
Hoxha ka thënë se kanë mbetur edhe disa persona të cilët nuk janë arrestuar dhe janë në arrati, shkruan lajmi.net.
“Na kanë mbetur disa persona të cilët nuk janë arrestuar, ne do të veprojmë sipas dispozitave ligjore”, ka thënë Hoxha në RTK.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se disave nga të arrestuarve i janë gjetur edhe armë, dhe ndaj të njëjtëve do të zgjerohen hetimet.
“Ato çka janë gjetur, sidomos armët ne do të shkojmë në zgjerim të hetimeve pë ata çka janë gjetur armë e municion”, ka thënë ai.
Hoxha është pyetur edhe për faktin se si është e mundur që të afërm me të ndërlidhurin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, Milan Radojiçiqin i kanë shpëtuar këtij operacioni dhe janë në arrati, teksa ka thënë se këto çështje janë të shërbimeve të caktuara, mirëpo nuk ka mohuar se Radojiçiq është njeri me ndikim në struktura të caktuara në veri.
“Nuk e di këto janë çështje të shërbimeve të saktuara. Përndryshe Radojiçiq është njeri me ndikim në polici, qytet edhe në komunë”, ka thënë ai.
Ndërkohë, Policia bashkë me Prokurorinë Speciale dhe IPK-në kanë mbajtur sot një konferencë për media ku kanë shpalosur detaje rreth këtij arrestimi.
Aty u bë e ditur se ka të arrestuar serbë, shqiptarë e boshnjakë. /Lajmi.net/
Lexo edhe:
Prokurori Special: Në mesin e të arrestuarve në veri ka eprorë dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës