Arrest dhe akuza për vrasje me paramendim të gradës së tretë për policin Derek Chauvin

Një ndër katër policët e përfshirë në arrestimin e George Floyd, një 46-vjeçar afrikano-amerikan i cili vdiq pas arrestit të hënën në Minesota, është arrestuar dhe është tani akuzuar për vrasje me paramendim të grades së tretë, si dhe vrasje pa paramendim.

Bota

29/05/2020 20:41

Oficeri Derek Chauvin është polici që shihet në videon e xhiruar nga një kalimtar, duke mbajtur gjurin në qafën e viktimës, ndërkohë që George Floyd dëgjohet duke u ankuar se nuk merr dot frymë. Videoja vazhdon mbi pesë minuta, kur George Floyd është i shtrirë përtokë dhe oficeri Derek Chauvin vazhdon ta mbajë nën kontroll me gjurin në qafë.

Qyteti i Minesotës është përfshirë nga trazirat, ndërkohë që autoritetet kanë thirrur Gardën Kombëtare për të ruajtur rendin, pas natës së të enjtes që u shoqërua me protesta të dhunshme të ndezura nga vdekja e 46-vjeçarit George Floyd.

Ky rast ka tërhequr vëmendjen e mbarë vendit si dhe vëmendje ndërkombëtare dhe ka rindezur debatin për trajtimin e personave me ngjyrë në SHBA. Demonstratat tani janë përhapur në qytete të ndryshme amerikane.