Arratisja spektakolare në Drenovë

Arratisje spektakolare në burgun e sigurisë së lartë e një grupi me njerëz të rrezikshëm të dënuar me burgime të përjetshme ka ngritur në këmbë policinë e shtetit shqiptar.

Lajme

24/11/2013 09:33

Arratisje spektakolare në burgun e sigurisë së lartë e një grupi me njerëz të rrezikshëm të dënuar me burgime të përjetshme ka ngritur në këmbë policinë e shtetit shqiptar.

Shtatë të burgosur kanë arritur të shpërthejnë dyert e burgut të Drenovës së Korçës, ndërsa njëri prej tyre u kap nga policia pas disa orësh, raporton sot Shekulli.

Ngjarja, sipas kësaj gazete, ndodhi dje në mbrëmje, rreth orës 19:10 teksa të burgosurit, të gjithë të armatosur me nga një armë në dorë, duke kanosur kanë shtënë me armë.

Ata nuk kanë lejuar afrimin e rojeve, kanë çarmatosur dhe marrë peng policët e brendshëm të burgut dhe kanë kaluar përmes një tuneli dhe ambienteve të takimeve speciale me familjet, për të arritur pranë hyrjes së burgut.

Më pas me një makinë kanë mundur të dalin jashtë. Dy orë pas arratisjes njoftohet arrestimi i njërit prej tyre, Artur Gora. Mbeten në arrati: Admir Bahri Tafili, Fran Pal Marashi, Gëzim Gjergj Guri, Gëzim Ndue Toma, Reiz Namik Haxhiraj, Eduard Kujtim Lula.

Pesë minuta para arratisjes, brenda burgut është dëgjuar një shpërthim, gjë që më pas nga policia u konfirmua se kjo ka qenë mënyrë për të tërhequr vëmendjen e policëve.

Janë dëgjuar edhe të shtëna armësh, gjithashtu për këtë qëllim. Ata kanë kaluar me forcë postbllokun e ngritur nga policia e Pogradecit afër Qafë Thanës. Forca të shumta policie, edhe ato RENEA, janë vënë në ndjekje të të arratisurve. Ka dyshime se ata janë nisur drejt Tiranës, por dhe Maqedonisë dhe Greqisë.

Sipas Shekullit, fillimisht janë nxjerrë nga funksioni kamerat e burgut, duke ndërprerë energjinë elektrike, më pas janë marrë peng rojet e brendshme.

Rrugës deri në dalje, të burgosurit kanë shtënë në ajër. Ndërkaq, grupi i tyre ka çarë postbllokun e policisë që ishte vendosur në Pogradec, duke vazhduar rrugën, mbase drejt kufirit me Maqedoninë ose në brendësi të vendit.

Ata janë ndarë në tre grupe dhe kanë udhëtuar me makina të grabitura. Të arratisurit i kanë marrë makinën kryeplakut të fshatit Qatrom, Myfit Ustalli, fshat afër burgut të Drenovës.

Kryeplaku ka treguar se ata i janë paraqitur si policë dhe kanë ikur me shpejtësi në drejtim të Korçës. Këtë javë në ambientet e burgut u bë një kontroll dhe u gjetën celularë, por jo armë. Ndërkaq, të dënuarit e këtij burgu kishin ditë që kishin hyrë në grevë urie për shkak të kushteve jo të mira të trajtimit.

\"BURGU1\"

Nuk ka vonuar shumë dhe sipas Shekullit, forcat e rendit kanë arritur të kapin një nga të arratisurit, shtetasin Artur Demir Gora.

Ai është kapur teksa po udhëtonte në rrugën Korçë- Ersekë pas postblloqeve të ngritura nga forcat e policisë. Artur Gora ka qenë duke udhëtuar me një automjet tip “Ford” për në drejtim të banesës së tij, teksa është ndaluar nga një postobllok i Policisë i ngritur enkas për këtë qëllim. I arratisuri ka pretenduar se automjetin e ka marrë si taksi, por Policia ka kryer edhe shoqërimin e drejtuesit të mjetit. Policia e Shtetit vijon aksionet për gjetjen dhe kapjen e 6 personave të tjerë që janë arratisur sot pasdite nga burgu i Drenovës. Fotografitë e tyre u janë shpërndarë të gjitha shërbimeve policore në terren dhe shumë shpejt do të shpërndahen edhe për publikun e gjerë.

Policia e Shtetit ofron 5 mijë euro për këdo që do të ofrojë informacion që do të çojnë në arrestimin e secilit prej të shumëkërkuarve.